Ambasadorja Demiri takon ambasadorin Huckabee, flasin për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA-Izrael

Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Izrael, Mike Huckabee.
Ambasadorja Demiri bën të ditur se në takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë të takoja Sh.T. Z. Mike Huckabee, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Izrael.
Gjatë takimit, diskutuam për marrëdhëniet e veçanta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për mundësitë për të thelluar më tej bashkëpunimin ndërmjet Kosovës, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Populli i Kosovës mbetet thellësisht mirënjohës për miqësinë e qëndrueshme dhe mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të popullit amerikan”, shkruan Demiri. /Telegrafi/



















































