LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori i Norvegjisë organizon pritje për komunitetin e ICK-së

Ambasadori i Norvegjisë organizon pritje për komunitetin e ICK-së

Per Strand Stjaastad, Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, në rezidencën e tij në Prishtinë, ka pritur në takim komunitetin e sektorit të teknologjisë dhe ndërmarrësisë. Aktiviteti u organizua me rastin e fillimit të zbatimit të programit “Forward” nga Innovation Centre Kosovo (ICK).

Si një ndër vendet kontribuese në zhvillimin e sektorit të TIK, me mbi 10 Milion Euro në vitet e fundit, Norvegjia vazhdon të jetë e përkushtuar në thellimin e përkrahjes, me qëllim të zhvillimit ekonomik, digjitalizimit dhe hapjes së vendeve të reja të punës në Kosovë.


Në pritjen e organizuar në rezidencën e tij, ku ishin të ftuar biznese startup, ministra, investitorë, mentorë, shoqata, universitete dhe ekspertë të fushës, Ambasadori Sjaastad premtoi që vendi i tij do të vazhdojë mbështetjen dhe u shpreh se Kosova ka potencial të prodhimit të produkteve dhe shërbimeve, përveq se të jetë konsumuese e teknologjisë.

“Të gjithë e kemi mision që ta ngrisim Kosovën në liga më të larta. TIK si sektor edhe pse përbënë 5% të mesatares së tregut evropian, tërthorazi siguron 50% të rritjes së produktivitetit për të gjithë sektorët tjerë. Shtetet nordike janë në krye të Indeksit Botëror të Zhvillimit të TIK, prandaj unë shpresoj që është rritur frymëzimi për përkrahjen e tyre edhe në Kosovë”, u shpreh Ambasadori Per Strand Stjaastad.

Ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj falenderoi Ambasadën e Norvegjisë për përkrahjen e vazhdueshme dhe tha se ministria që ai drejton ka në mision krijimin e një platforme institucionale për inovacion dhe ndërmarrësi, e cila ka munguar më parë.

“Unë falenderoj Ambasadën Norvegjeze për kontributin e madh financiar në zhvillimin e këtij sektori. Jemi këtu me ftesë të tyre, prandaj e pëcjelli falenderimin në emër të të gjitha institucioneve financiare. Ne tashmë kemi një ministri e cila ka për synim krijimin e platformës institucionale dhe ndër qëllimet kryesore është ndërlidhja me biznesin dhe hulumtimin & zhvillimin (R&D). E rëndësishme është që të gjithë të angazhohemi në edukim, e cila ka nevojë të ristrukturohet, në mënyrë që ti përgatisim gjeneratat e reja për tregun global të punës”, tha ministri Beqaj.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosov (ICK) tha se sektori i teknologjisë dhe ndërmarrësisë ka shënuar rritje falë donatorëve, por edhe falë punës së vazhdueshme të komunitetit.

“Ambasada e Norvegjisë është donatori i parë që i besoi vizionit të ICK-së, shtatë vite më pare. Falë bashkëpunimit edhe me ambasadat dhe donatorët tjerë, ICK tashmë është shndërruar në një platformë të komunitetit, por edhe si ndërlidhje në mes vet donatorëve. Sektori ka rritje falë donatorëve, por nuk duhet minimizuar rolet tona, të vet ndërmarrësve, komunitetit e të gjithë atyre që çdo ditë punojnë për prosperitet dhe një të arrdhme më të mirë”, përfundoi Begu.

Pritja e komunitetit nga Ambasadori i Norvegjisë u organizua me rastin e fillimit të zbatimit të programit “Forward” nga Innovation Centre Kosovo me përkrahje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Ky program dy-vjeqar do të ofrojë mbështetje financiare për bizneset startup, trajnime, konsulencë, mentorim dhe aktivitete të ndryshme me qëllim të promovimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë.