LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori italian thotë se do ta mbështesin Qeverinë e Kosovës për të përmirësuar jetën e qytetarëve

Ambasadori italian thotë se do ta mbështesin Qeverinë e Kosovës për të përmirësuar jetën e qytetarëve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë Antonello De Riu, për të diskutuar rreth programit Qeverisës, Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022.

Sipas komunikatës për medie, ambasadori De Riu theksoi gjatë takimit se do ta mbështesin Qeverinë Kurti në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, si dhe do të vazhdojnë me rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.


Murati gjatë këtij takimi ka prezantuar punën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve duke u fokusuar në masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, menaxhimin e mirëfilltë të financave publike dhe rritjen ekonomike që ka pasur vendi muajve të fundit.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se gjatë takimit ambasadori De Riu ka theksuar se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në vend, e sidomos Projektligjin për Buxhetin 2022, i cili drejtpërdrejtë synon arritjen e objektivave të parapara në Programin Qeverisës 2021-2024.

“Ministri Murati gjatë takimit e njoftoi  Ambasadorin De Riu për gjendjen me situatën pandemike, duke theksuar se Qeveria ka ndërmarrë një varg masash për kontrollin e pandemisë duke e bërë Kosovën vendin me popullsinë më të vaksinuar në regjion”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/