Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka zhvilluar një vizitë njëditore në Mitrovicën e Veriut, ku është njohur nga afër me realitetin shoqëror, kulturor dhe mediatik të zonës.

Gjatë qëndrimit, ai u takua me përfaqësues të shoqërisë civile, personalitete të kulturës dhe përfaqësues të mediave lokale.


Sipas njoftimit të ambasadës, dita filloi me një tryezë të rrumbullakët me organizata të shoqërisë civile dhe gazetarë lokalë, ku u diskutua për sfidat politike dhe sociale me të cilat përballet komuniteti në veri të vendit. Ambasadori Rudolph u informua mbi zhvillimet e fundit dhe çështjet që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.

Në vijim të vizitës, ai ndaloi në Qendrën "Acquarius" dhe në Shkollën e famshme të Rock-ut në Mitrovicë, duke u njohur nga afër me dinamizmin kulturor dhe iniciativat artistike që bashkojnë të rinjtë pa dallime etnike.

“Gjermania mbështet fuqishëm një Kosovë shumetnike dhe jemi të përkushtuar të vazhdojmë dialogun me të gjithë komunitetet”, thuhet më tej në komunikatën e ambasadës.

Vizita e ambasadorit vjen si pjesë e përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin dhe për të kuptuar më mirë nevojat dhe perspektivat e qytetarëve në zonat veriore të vendit. /Telegrafi/