Parku Solar prej  3 MW në proces ndërtimi në fshatin Grackë e Vjetër pranë komunës së Lipjanit, Kosovë.

Znj. Eriola Bibolli-Drejtoreshë Gjenerale dhe z.Visar Paçarada, anëtar i bordit menaxhues të Bankës ProCredit, mirëpritën për vizitë Ambasadorin gjerman z. Joern Rohde, znj. Artane Rizvanolli-Ministre e Ekonomisë dhe znj. Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare. Kjo vizitë u organizua në parkun solar 3MW i cili është në fazën e fundit të ndërtimit dhe gjendet në fshatin Grackë e Vjetër.

Përmes ProEnergy LLC (PP), ky park solar vjen si investim gjerman nga ProCredit Holding, kompani amë e Bankës ProCredit duke treguar kështu orientimin e saj drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në vend dhe përkushtimin për të reduktuar CO2 dhe për të ndihmuar në luftimin e ngrohjes globale.

ProEnergy synon të aplikojë për certifikim me “Gold Standard” të projektit duke kuantifikuar sasinë e energjisë së pastër dhe të gjelbër që do të gjenerohet në rrjetin e Kosovës.

Zvogëlimi i pritshëm i emetimeve nga ky park solar do të jetë rreth 3,700 tCO2/vit. ProCredit Holding do të përdorë emetimet e shmangura të C02 nga ky projekt, për të kompensuar emetimet e C02 që rezultojnë si pasojë e operacioneve të përditshme bankare të grupit të bankave. Me anë të zvogëlimit të emetimeve të CO2, projekti do t’i kontribuojë Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara OZHQ-së 13 (Veprimet Klimatike) ndërsa gjenerimi i 3,943MWh/vit i energjisë elektrike të pastër do t’i kontribuojë OZHQ-së 7 (energji e përballueshme dhe e pastër).

Konsumi i energjisë elektrike është një nga kontribuesit kryesorë të emetimeve të gazrave serë. Në rastin tonë, ky kontribut lidhet deri diku me aktivitetet e përditshme të bankës, por ndërlidhet edhe me burimin e energjisë elektrike, që në shumicën e vendeve ku ne operojmë është qymyri. Prandaj, për të pëmirësuar më tej performancën mjedisore nëpërmjet reduktimit të emetimit të gazrave serë (GS) dhe për të arritur qëllimin afatmesëm për t’u bërë  institucion neutral ndaj karbonit,  aksionari kryesor i grupit ProCredit, ProCredit Holding, ka ndërmarrë nismën për të investuar në një projekt solar në Kosovë. Arsyeja pse Kosova është përzgjedhur për këtë investim është fakti se Kosova ka një ‘miks’ të energjisë më të ndotur në Europë dhe ballafaqohet me mungesë të furnizimit me energji, përderisa përjeton nevojë për rritje të konsumit të energjisë. Një hap i logjikshëm do të ishte që Kosova të përshpejtojë tranzicionin e energjisë drejt burimeve fleksibile dhe të gjelbra.

Projektet si ky në një vend ku nisma të tilla janë ende mjaft të rralla, konsiderojmë se do të shërbejnë si shembull pozitiv dhe do t’i kontribuojnë zhvillimit të përgjithshëm të vendit” tha Znj. Eriola Bibolli-Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit.

Ambasadori Rohde ndër të tjera deklaroi se “Energjia elektrike që do të prodhohet nga ky investim tërësisht gjerman do të furnizohet nëpërmjet rrjetit dhe do të përdoret për vetëkonsum për Bankën ProCredit në Kosovë dhe kompanitë e saj partnere, ndërsa energjia elektrike tepricë do t’i shitet KESCO-s me tarifën për të cilën do të pajtohemi. Ky projekt tregon jo vetëm përkushtimin e Bankës ProCredit për të reduktuar emisionin e gazrave serë që të ndihmojmë në luftën kundër Ngrohjes Globale, por vjen në një kohë të krizës globale të energjisë, vlerësohet shumë dhe është shumë i nevojshëm.

Tranzicioni i energjisë dhe dekarbonizimi i sektorit të energjisë pashmangshmërisht do të jenë prioritet për të gjitha qeveritë tona në të ardhmen e parashikueshme”.

Vizioni ynë është të kemi një sektor të pastër të energjisë por gjithashtu një sektor që është më demokratik dhe më i decentralizuar, me konsumatorët në qendër të tij si pjesëmarrës aktivë.

Parku Solar 3 MW i ProCredit-it të cilin e kemi vizituar sot së bashku me Ambasadorin gjerman, Jörn Rohde është shembull i shkëlqyeshëm i këtij vizioni” deklaroi Ministrja Rizvanolli.

Parku solar ProEnergy planifikohet të finalizohet gjatë muajit dhjetor 2022 dhe pritet që aktiviteti i tij të ketë jetëgjatësi prej rreth 30 vitesh.