Ambasadoret shqiptarë në Kampionatin Botëror në Afrikë të Jugut
Ka shumë kohë që ne shqiptarët jemi lodhur nga politika ditore, nga tragjikomeditë tona që po na lënë pa gjumë dhe pa shpresa për një të ardhme më të mirë shqiptare. Jemi të stërngarkuar edhe si individë por edhe si popull me ecejaket tona si shoqëri që kurrsesi të mund të jemi të qetë se punët do shkojnë për së mari, dita ditës edhe pas pavarësisë formale të Kosovës që e pritem me shekuj po traumatizohemi me lajme për hajni, për abuzime, krime, keqpërdorime, korrupsion, kriminalitet politik e ekonomik dhe çka jo tjetër. Të gjitha këto të këqija na vijnë si dhuratë nga kinse patriotët dhe politikanët tanë të cilët po e zhvatin paranë e popullit në emër të shtetit dhe për shtetin...
Fatmirësisht në etnikumin shqiptar, ka shumë njerëz që prapëseprapë janë të dhenë pas të mirave dhe pas krijimit të vlerave kombëtare në sfera të ndryshme të jetës pa e patur asnjë përkrahje nga shteti dhe institucionet e tij. Shumë shqiptarë dita ditës krijojnë emër dhe vepra me të cilat ne duhet të mburremi se jemi shqiptarë, kuptohet në të gjitha lëmit jetësore. Për të qenë real një numër i madh i tyre po gjejnë shprehje dhe mundësi në vendet demokratike perëndimore ku çmohen vlerat dhe dija, ngase ato vende janë vetë vlera dhe dija, për dallim nga trojet tona ku politikanët jo se nuk stimulojnë por fatkeqësisht pengojnë ngritjen dhe stimulimin e vlerave.
Nga kjo del se një numër i madh i të rinjve shqiptarë anë e kënd botës demokratike po ia ngritin zërin dhe namin kombit shqiptar, si në muzikë, artë e kulturë ashtu edhe në sport. Të tri këto lëmi janë më se të çmuara në botë, janë të prekshme dhe të popullarizuara ngase përmes tyre bota njeh një komb dhe një popull. Ka disa muaj që në qendër të vëmendjes botërore është një eveniment që ka reputacionin më të madh në botë ai i mbajtjes së Kampionatit Botëror në futboll në Afrikën e Jugut. Të gjitha mediat botërore dhe kombëtare të shteteve të ndryshme tani më janë në ethet e fillimit të kësaj madhështie botërore, ku për fat tonin të keq shteti shqiptarë ende nuk arriti që njëherë të marrë pjesë në një ngjarje të tillë, në të cilën do të defilojnë reprezentacione të të gjitha kontinenteve.
Ne shqiptarët gjithashtu jemi të fokusuar në këtë ngjarje pasi që do të kemi mundësinë që për një muaj të jemi me sportin dhe me boten sportive në tërësi. Nëse ne nuk jemi pjesëmarrës si shtet në këtë kampionat, prapëseprapë kemi arsye që të jemi shumë krenar se në këtë ngjarje kombi shqiptar do të ketë përfaqësuesit e vetë të mëdhenj, më të mëdhenj se të gjithë politikanët tanë të sotëm, pra kombi shqiptarë në Afrikën e Jugut do të shoh tre musketarët tanë të mëdhenj që do ia ngritin namin dhe reputacionin kombit tonë, dhe këtë falë një shteti dhe kombi të madh me shpirt demokratikë- Zvicrës.
Valon Behrami, Albert Bunjaku dhe Xherdan Sheqiri, tre yje të futbollit shqiptarë edhe pse në fanellën bardh e kuq, do jenë me emër e mbiemër shqiptarë, do jenë krenaria dhe madhështia e jonë, do jenë thjeshtë shpirti dhe gjaku i ynë në Afrikë. Këta të tre janë më shumë se futbollistë, janë më shumë se reprezentues të Zvicrës, do jenë më shumë se pjesëmarrës të kampionatit ata fund e krye do jenë ambasadorët shqiptarë në sytë e krejt botës më shumë se futbolldashëse.
Këta tre shqiptarë meritojnë çmime, mirënjohje dhe gradime shtetërore, këta janë ajka e kombit në fushën e vet, këta janë përfaqësues të denjë të popullit, ngase me talentin dhe punën e mundimshme të bërë me ndihmën e prindërve të tyre arritën këtu ku janë, pra shqiptari mund të arrij edhe piedestalet nëse i ka kushtet dhe mundësitë, e këto këtyre ua krijoi populli dhe shteti zviceran, andaj të marrin pakëz inat nga kjo institucionet tona se sporti dhe kultura bëjnë më shumë se politika.
Duke u nisur nga kjo, populli shqiptarë e ka të qartë se për cilin reprezentacion do të anojë dhe do të brohorasë, pra për Zvicrën dhe tre musketarët tanë të këtij shekulli, nuk është pak që në një shtet me 8 milion banor të zënë vend tre shqiptarë në reprezentacion të tyre, demokraci e llojit të vetë.
Zvicra, shtet me mbi 200 000 mijë shqiptarë, prijëse në investime në Kosovë e Shqipëri, humanitare me qindra mijëra emigrantë nga Kosova në kohë lufte, meriton më shumë respekt nga vetë ne shqiptarët, e kemi si atdhe të dytë ngase na respekton neve si shqiptarë edhe me të metat që i kemi.
Fat dhe suksese në kampionatin botëror- Reprezentacion i Zvicrës me tre shqiptarët e mëdhenj të futbollit, Valonin, Albertin dhe Xherdanin.



































