Në zyrat e Komunës së Graçanicës është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Grant Kontratës për “Projektin për sigurimin e pajisjeve mjekësore për Qendrën Diagnostikuese Graçanicë”, në kuadër të Ndihmës Japoneze për Grante për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore (GGP).

Grant kontrata është nënshkruar nga i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, dhe kryetari i Komunës së Graçanicës, Novak Ziviq, si partner zbatues i projektit.


Me këtë rast, Tanigaki e ka uruar Ziviqpër zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të komunës, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit. Ai ka theksuar se Japonia mbetet e përkushtuar për të mbështetur projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

“Na bën veçanërisht të kënaqur që përmes këtij projekti të mbështesim Qendrën Diagnostikuese dhe Komunën e Graçanicës në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve në këtë komunë dhe në rajonin përreth”, ka deklaruar Tanigaki.

Projekti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Graçanicës dhe zonave përreth, përmes sigurimit të pajisjeve moderne mjekësore.

Në kuadër të tij, në laboratorin klinik të Qendrës Diagnostikuese do të instalohet një analizues shtesë imunoanalitik, i cili do t’u mundësojë rreth 4 mijë e 100 pacientëve në vit marrjen e diagnozave më të sakta dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve.

Po ashtu, në repartin e fizioterapisë do të dhurohet një pajisje për terapi me valë goditjeje radiale ekstrakorporale, e cila do t’u mundësojë rreth 430 pacientëve në vit trajtim adekuat sipas nevojave të tyre shëndetësore.

Vlera totale e projektit kap shumën prej 59 mijë e 700 euro.

Ndihma Japoneze për Grante për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore (GGP) është një nga skemat e Ndihmës Zyrtare të Japonisë për Zhvillim, e cila mbështet organizatat joqeveritare dhe institucionet publike lokale në adresimin e nevojave bazike të komuniteteve, veçanërisht në fushat e shëndetit, arsimit, mjedisit dhe mirëqenies sociale.

Në Kosovë, Japonia ka zbatuar skemën GGP edhe para shpalljes së pavarësisë, ndërsa pas pavarësisë, shuma totale e granteve të ndara përmes kësaj skeme arrin në 4 milionë e 410 mijë e 415 euro për 66 projekte në mbarë vendin. /Telegrafi/