Amaneti i Rugovës dhe asimilimi i LDK-së
Prolog
Në një tregim të urtë popullor një ari i trembur i qahet malit për të ardhmen e tyre të rrezikuar duke i shpjeguar se njeriu e kishte zbuluar një mjet të fortë – sopatën – që pret drunjtë dhe kështu do të asgjësoj malin dhe do ta bëj ariun gjah të lehtë në mungesë të drunjve. Mali i lashtë nuk mërzitet edhe kur ariu i shpjegon se sopata është bërë nga një material i fortë – hekuri – meqë mali i ka rezistuar edhe katastrofave natyrore e lëre më zbulimeve njerëzore. Por kur ariu i tregon se bishti i sopatës është bërë nga druri, mali trazohet dhe i trembur i thotë ariut: “Ari, o miku im, pjesa ime që do t’i ndihmoj sopatës do të më shkatërroj dhe po e shoh se fillimi i fundit tim paska nisur”.
(Jo)Stabiliteti i Koalicionit PDK-LDK
E enjtja e javës së kaluar solli një natë jo të zakonshme për Republikën e Kosovës. Të pazakonshme, por jo edhe shqetësuese, siç u proklamua nga disa parti politike. Orvatjet për pozicione sa më të mira para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale nuk duhen kuptuar si diçka që mund ta destabilizojnë vendin tonë. Zatën, edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë u deklaruan se është demokratike dhe aspak e çuditshme nëse mund të ketë lëvizje pas zgjedhjeve dhe këto deklarata bazohen në përvojat e tyre në shtetet nga vijnë, ku demokracia dhe vendimet për aleanca politike kanë një traditë të gjatë.
Natyrisht, Kosova nuk e ka një pervojë të tillë dhe si rrjedhojë çdo gjë e re sjell edhe një dozë shqetësimi për ndonjë destabilizim të mundshëm të vendit. Por, sipas parametrave politikë, Kosova është shtet stabil, prandaj, as e enjtja e kaluar nuk e ka cenuar stabilitetin e saj. Koha do të tregojë nëse zhvillimet e së enjtes mbrëma kanë mundur të menaxhohen më mirë nga PDK-ja, por kjo nuk është çështja më e rëndësishme në zhvillimet aktuale pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale.
Vendimi për koalicionet e LDK-së dhe AAK-së në disa komuna, sado që në frymë të parë është dukur si i dhembshëm për PDK-në dhe ka prodhuar një lloj mërie tek kjo e fundit, nuk është aspak i natyrës se bashkëpunimit të sinqertë, siç pretendon AAK-ja. Këto koalicione janë më shumë të dëmshme për LDK-në se sa për këdo tjetër.
Koalicioni i panatyrshëm LDK-AAK
Strategjia e AAK-së pas kthimit të Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hages ka qenë e dizajnuar dhe e drejtuar me një rigorizitet të disiplinuar për të sulmuar dhe përvetësuar strukturat dhe votuesit e LDK-së. Duket sheshazi se për këtë arsye z. Haradinaj nuk e ka kritikuar LDK-në në mënyrë të hapur, duke u munduar që t’i josh votuesit e saj, por nën syrin e tyre ka lansuar oferta për asimilimin e strukturave të LDK-së. I gjithë ky proces nuk është bërë shumë publik dhe është udhëhequr me pak zhurmë mediale.
Një ndër boshtet kryesore të fushatës zgjedhore të Ramush Haradinajt ishte tentimi për ta paraqitur veten si një trashëgimtar të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili kinse i paska lënë atij amanet që të vazhdojë qeverisjen e vendit. Çfarë nuk ka shpjeguar z. Haradinaj është nëse Presidenti Rugova i ka lënë atij amanet edhe të destabilizoj LDK-në dhe t’ia asimilojë asaj disa nga kuadrot e saj me ndikim!
AAK gjatë tërë fushatës e ka përdorur figurën e Ibrahim Rugovës duke u munduar që t’i përvetësoj ata votues të LDK-së që nuk e votuan këtë parti pas vdekjes së liderit të tyre. Kjo duket se ka pasur sukses, meqë në shumë komuna ku LDK ka pasur një numër të konsiderueshëm të votuesve, përqindja e saj është zvogëluar dhe përqindja e AAK-së është rritur dukshëm.
Në komunat si Peja, Gjakova e Klina, që pas luftës janë udhëhequr në dy mandate nga LDK-ja, tani AAK-ja është forcë më e madhe se LDK-ja dhe është e qartë se kjo rritje ka ardhur si pasojë e marrjes së votuesve nga radhët e LDK-së. Sot, LDK ka vetëm 14% në Pejë, 12% në Gjakovë, 21% në Klinë dhe në këto tri komuna është partia e tretë për nga votat e marra.
Ndërsa, në Therande, “tradhëtia” e Blerim Kuqit ndaj LDK-së dhe kalimi i tij në AAK ka bërë që bastioni tradicional i LDK-së të përqahet dhe që të ndodhë diçka e paparë më herët, ku Kryetari i Komunës që ishte edhe kandidat i LDK-së nuk arriti që të kualifikohet as për balotazh.
Quo Vadis LDK?
Rritja e AAK-së në zgjedhjet e fundit duhet të jetë një sinjal alarmant për LDK-në dhe kurrsesi për PDK-në, e cila edhe gjatë zgjedhjeve te fundit shënoi një ngritje të lehtë. AAK me strategjinë “Amaneti i Rugovës” ka arritur që të ngjitet më lartë duke e rrezikuar LDK-në për pozitën e partisë së dytë në vend. Strategjia e AAK-së nuk është që ajo të dalë nga zgjedhjet si partia më e madhe në vend, ngase atë pozitë e mban me shumë komfor PDK-ja. Qëllimi i qartë i AAK-së është që të marrë sa më shumë vota nga ish-votuesit e LDK-së.
Është me rëndësi të theksohet se PDK nuk ka tendencë marrjen e strukturave të LDK-së e as dezorientimin e ish-votuesve të LDK-së. Rivaliteti politik i PDK-së me LDK-në ka qenë rivalitet i konkurrencës së ofertave për qytetarët dhe vendin e tyre. Kjo konkurrencë i ka sjell dobi debatit politik dhe të dyja partive, ngase ofertat e tyre politike janë bërë më serioze dhe me të realizueshme.
LDK, duke u koncentruar në rivalitetin e saj me PDK-në nuk është duke e kthyer kokën prapa për të parë se ajo është e ndjekur nga goja e AAK-së e cila veç ka filluar t’i shqyej asaj copa te rëndësishme. LDK duhet që me hapa të kujdesshëm të analizoj gjendjen në të cilën është dhe të mos krijoj eufori e të lakohet nën presion nga inatet dhe interesat personale të disa individëve brenda saj.
Ata që po e dërgojnë LDK-në në prehrin e AAK-së duhet të kujtojnë se gjatë bashkë-qeverisjes me këtë parti, LDK ka pasur imazhin më të keq që nga krijimi i saj dhe ka humbur numrin më të madh të votave ndonjëherë. Për dallim, gjatë koalicionit me PDK-në, LDK shënoi ngritje në elektorat. Faktet flasin më bindshëm se fjalët!!



































