Amal Clooney shkëlqen në ar: Fustani retro që mori gjithë vëmendjen në Londër

Pas fundjavës romantike në Saint-Tropez, George dhe Amal Clooney u shfaqën në Royal Albert Hall për jubileun e 50-vjetorit të fondacionit King’s Trust, ku ajo mahniti me një krijim të artë nga Alexander McQueen
Pas fundjavës romantike në Saint-Tropez, ku festuan ditëlindjen e 65-të të George Clooney, çifti George dhe Amal Clooney mbërriti në Londër për një tjetër ngjarje të rëndësishme: kremtimin e 50-vjetorit të organizatës bamirëse King’s Trust, në Royal Albert Hall.
Mund të thuhet pa teprim se njëra nga gratë më elegante të ditëve tona shkëlqeu këtë mbrëmje si një mbretëreshë e vërtetë.
Fondacioni King’s Trust u themelua në vitin 1976 nga atëherë Princi Charles, si një organizatë që synonte t’u ndihmonte të rinjve nga komunitetet më të cenueshme të fitonin vetëbesim, aftësi profesionale, të gjenin punë ose të nisnin biznesin e tyre. Gjatë pesë dekadave të fundit, më shumë se një milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë përfituar nga ky program.
Në mbrëmjen festive në Londër, mes shumë të ftuarve të njohur, ishin edhe George dhe Amal Clooney, të cilët sollën një frymë të vërtetë glamuri hollywoodian në sallën e famshme Royal Albert Hall, transmeton Telegrafi.

Ende me atmosferën e mirë që kishin sjellë nga Côte d’Azur, ku fundjavën e kaluar festuan ditëlindjen e aktorit të njohur, çifti rrezatoi elegancë dhe harmoni. Megjithatë, gjithë vëmendjen e mori Amal Clooney, juristja e njohur dhe ikona e stilit bashkëkohor, e cila u shfaq me një fustan spektakolar të artë.
Në fakt, ajo ishte e veshur në ar nga koka te këmbët. Me pamjen e saj madhështore, shumë komentues e krahasuan me një hyjneshë egjiptiane, ndërsa portalet që po e ndiqnin ngjarjen drejtpërdrejt shkruan se Amal ishte ndër paraqitjet më mbresëlënëse të mbrëmjes.
Fustani me prerje në formë V-je, me motive gjeometrike dhe strukturë të frymëzuar nga stili art deco, është një model retro i shtëpisë Alexander McQueen nga koleksioni i vjeshtës 2007. Amal e kombinoi me këpucë në të njëjtën nuancë të artë dhe me grim të ndritshëm, që e theksonte edhe më shumë shkëlqimin e paraqitjes së saj.
Amal Clooney edhe një herë dëshmoi se e njeh në mënyrë të përsosur fuqinë e elegancës klasike me prekje moderne. Ajo nuk gabon lehtë në tapetin e kuq dhe këtë mbrëmje, në kuptimin e plotë të fjalës, shkëlqeu.

Edhe bashkëshorti i saj nuk mbeti në hije. George Clooney u shfaq me një kostum elegant ngjyrë të kaltër të errët, ndërsa pamjen e plotësoi me syze të errëta. Gjatë kalimit në tapetin e kuq, ai qëndroi pranë Amal, duke e shoqëruar me kujdes dhe elegancë, në një nga paraqitjet më të komentuara të mbrëmjes. /Telegrafi/




















































