Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, priti të mërkurën në një takim pune drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë, Altin Dumani.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sundimit të ligjit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e koordinimit në hetimet e përbashkëta.


Dumani ritheksoi përkushtimin e SPAK-ut për të mbështetur Prokurorinë Speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa, z. Isufaj shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se Prokuroria Speciale mbetet një shtyllë e fortë dhe e palëkundur e sistemit të drejtësisë në vend. /Telegrafi/