Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ali Sadriu, po suspendohet nga puna. Ai po suspendohet nga puna si drejtues i këtij institucioni shëndetësor sepse ai edhe po flet por edhe po ndërmerr hapa konkret dhe po e lufton keqmenaxhimin dhe korrupsionin, pra, ai po e lufton krimin e organizuar në organin e tij shëndetësor që e menaxhon.

Ky korrupsion në shëndetësi, siç po e shohim, i ka përfshirë disa parti dhe mbështetës të tyre politikë të quajtur militantë. Rasti konkret i përvetësimit se rreth 6 hektarë tokë në pronësi të QKUK-së që tashmë e sa vjet i takojnë dikujt që ose është pjesë e LDK-së dhe e PDK-së ose është militant i tyre ose i afërm familjarë.


Një tjetër ngjarje që paraqitet po aq e rëndësishme është përfshirja e drejtpërdrejt e ministrit të ri të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, në këtë hallakatmë. Siç u bë e ditur, ministri Bukoshi është i gatshëm të suspendojë sekretarin e përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë nëse ai nuk nënshkruan vendimin për suspendimin e Ali Sadriut.

Ky rast, i vlefshëm edhe për studim, qartësisht tregon që në Kosovë korrupsioni është ndërmarrje e përbashkët. Kjo nuk është hera e parë që e mësojmë këtë. Në fakt, qytetarët e Kosovës e dinë se për çka është fjala, e dinë se çka po ndodhë në Kosovë, por duket se mediet janë të prapambetura në raportimet e tyre.

Më tutje. Para 2-3 ditësh ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri, (edhe kjo ministre e re )për herë të parë në e shënoi Ditën e Shërbyesit Civil. Shumë mirë. Por, ajo ende po heziton t’i fus duart si ministre e Administratës publike në Rastin Sadriu sepse edhe QKUK edhe Ministria e Shëndetësisë janë pjesë e administratës dhe e administrimit publik. Ashiqare, ministrja Tahiri nuk dëshiron të ballafaqohet me problemet që ka sektori publik.

Tjetra. As Kryeministri i Kosovës nuk ka reaguar ndaj asaj që po ndodhë me drejtuesin e QKUK-së. Ashiqare, si politikan që vjen nga PDK-ja, ai këtë punë ja lë LDK-së. Por, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, po harron që është edhe kryeministër i Kosovës, pra edhe i Ali Sadrisë edhe i Bujar Bukoshit. Ndërsa, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, po get ka vendosur që të shtojë kile duke ngrënë dreka e darka ku të mundet. Por, në e dimë që drekat dhe darkat ai nuk i paguan nga kuleta e tij por nga kuleta e buxhetit të Kosovës, pra nga tatimet e qytetarëve.

Në fakt, tashti ai ka zgjedhur edhe çajin që do ta pijë pas buke. U deshën disa udhëtime ndërkombëtare për këtë përzgjedhje sepse kryetari, ashiqare, paska shije të veçantë afrikane.

Ndërkohë, kreu i Agjencisë AntiKorrupsion, Hasan Preteni, po ankohet se qytetarët e Kosovës po hezitojnë ta lajmërojnë korrupsionin. Po get që Preteni po pret që kreu i QKUK-së të bëj ankesë formale në letër për suspendimin e tij nga puna.