Albin Krasniqi, ‘snajperisti’ i Superligës së Kosovës – me golat e tij po e mban Prishtinën në luftë për kreun

Albin Krasniqi po del të jetë ylli i Prishtinës këtë sezon, ku me golat e tij, po i kthen kryeqytetasit në garë për trofe. Dy gola në ndeshjen e fundit kundër Dukagjinit në fitoren 3-0 konfirmuan formën e tij të lartë që po kalon, mesfushori që këtë sezon po luan edhe në krah të sulmit. Pas një dëmtimi që e kaloi sezonin e shkuar kur mbeti jashtë fushave për katër muaj, Krasniqi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se po ndjehet mirë deri më tani dhe se dëmtimi i takon të shkuarës. Ai u ndal edhe te pozicioni i ri në krah të sulmit, duke i dhënë merita trajneri Jean Michel Cavallit, ndërsa me llojin e golave që po shënon këtë vit, lirisht mund të quhet edhe snajperisti i Superligës së Kosovës, pasi goditjet e tij janë fatale për portierët.

"Detyrat i përcakton trajneri. E imja është të jap maksimumin aty ku mendon trajneri që e jap më të mirën. Kam luajtur disa herë në atë pozitë dhe ndihem mjaft mirë edhe aty”, deklaroi Krasniqi për Telegrafin. Me tri gola në pesë ndeshje, Krasniqi po del të jetë shënuesi më i mirë i Prishtinës këtë sezon, e cila deri më tani ka tubuar 10 pikë nga pesë ndeshje. Sipas tij objektivi është që Prishtina të fitojë ndeshje pas ndeshjes këtë sezon, duke tentuar të marr maksimumin.





































