Albiani fiton derbin e vëllezërve Ajeti, Arlindi ndëshkohet me të kuq

Baseli ka fituar me rezultat të thellë 4-0 ndeshjen e tyre në udhëtim te Grasshoppers të vlefshëm për javën e 19-të të Superligës së Zvicrës.
Baseli ka vazhduar serinë pozitive në kampionat duke arritur edhe fitoren e tretë radhazi dhe duke u ngjitur në vendin e dytë në tabelë.
Ata kanë fituar thellë 4-0 në udhëtimin e tyre te Grasshopers, të cilët kanë katër humbje radhazi dhe janë në zonën e rrezikshme të rënies nga kategoria.
Kjo fitore ishte edhe fitore e Albianit ndaj vëllait të tij të madh, Arlindit në derbin e vëllezërve Ajeti.
Albiani ka arritur edhe të shënoj gol në minutën e 76-të të ndeshjes, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.
Ky gol i Albianit erdhi vetëm gjashtë minuta pas inkuadrimit në lojë, ndërsa tani ka arritur në kuotën e nëntë golave dhe gjashtë asistime në këtë sezon.
Në anën tjetër, vëllai i tij Arlindi ishte i pafat duke u ndëshkuar me karton të kuq, pas dy të verdhëve.
Kartoni i parë i reprezentuesit të Shqipërisë erdhi në minutën e tretë, ndërsa i dyti, respektivisht i kuqi në minutën e 26-të të ndeshjes. /Telegrafi/











































