Alarm në Pentagon - evakuohen disa kate pas sinjalit për substanca të rrezikshme


Në Pentagon është ndërmarrë një operacion i gjerë sigurie pasi sistemet e brendshme të monitorimit të cilësisë së ajrit kanë detektuar një problem të mundshëm që mund të lidhet me praninë e materialeve të rrezikshme në ajër.
Si masë paraprake, disa kate dhe korridore brenda ndërtesës janë mbyllur plotësisht, ndërsa pjesë të tjera janë evakuuar menjëherë për të garantuar sigurinë e personelit.
Në zonat e prekura është dhënë edhe urdhri “shelter-in-place”, që do të thotë se personat duhet të qëndrojnë brenda dhe të mos lëvizin derisa të jepen udhëzime të reja, shkruan cnn.
Zyrtarët e Pentagonit kanë bërë të ditur se këto masa janë marrë vetëm për arsye sigurie, ndërsa shkaku i saktë i alarmit ende nuk është përcaktuar. Për momentin nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë rrjedhje kimike, gaz apo substancë tjetër të rrezikshme.
Në vendngjarje janë angazhuar menjëherë ekipe të specializuara për trajtimin e materialeve të rrezikshme, si nga vetë Pentagoni, ashtu edhe nga Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Arlington. Ata po punojnë për të identifikuar burimin e alarmit dhe për të siguruar zonën.
Autoritetet kanë konfirmuar se deri tani nuk ka raportime për të lënduar, dhe gjithashtu nuk është identifikuar ndonjë substancë konkrete e rrezikshme. Hetimet dhe kontrollet teknike po vazhdojnë, ndërsa situata mbetet nën monitorim të rreptë. /Telegrafi/




































