Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrim në prokurim publik, lidhur me një projekt infrastrukture në Komunën e Suharekës.

Të pandehurit B.K., M.B., E.Sh., A.E., B.N. dhe Z.T. akuzohen se më 14 korrik 2019, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme për të tjerët, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 24,308 euro. Prokuroria i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal, përcjell Telegrafi.


Sipas aktakuzës, B.K., menaxher i kontratës lidhur me asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ngucat, ka marrë pjesë në përpilimin e raportit ku ishin përfshirë të dhëna të pasakta për ndërtimin e një ure metalike, e cila në fakt nuk ishte realizuar. M.B., zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën ku figuron ura metalike dhe ka mundësuar pagesën për të, pavarësisht se punimet nuk ishin kryer. E.Sh., drejtor i shërbimeve publike, nuk i ka përmbushur detyrat për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe projektues, duke lejuar mospërputhje ndërmjet projektit dhe kontratës.

Po ashtu, A.E., si hartues i projektit, sipas aktakuzës, ka përgatitur para-masën dhe para-llogarinë me të dhëna të pasakta, duke ndryshuar përmbajtjen mes projektit dhe kontratës lidhur me ndërtimin e murit mbrojtës dhe urës metalike. Ndërkohë, B.N., monitorues i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe Z.T., mbikëqyrës i përzgjedhur me tender, kanë nënshkruar raportin dhe kanë përgatitur certifikatën e pagesës edhe pse ura e paraparë nuk ishte ndërtuar.

Në një procedim të ndarë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj A.M., përfaqësues i grupit të operatorëve ekonomikë, i cili akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, pasi ka paraqitur raport ku deklarohej se punimet për ndërtimin e urës metalike në vlerë prej 24,308 euro ishin kryer, pavarësisht se ura nuk ishte ndërtuar.

Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Për personat zyrtarë është kërkuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues — ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik. /Telegrafi/