LAJMI I FUNDIT:

Aktakuzat e para, deri në fund të vitit

Aktakuzat e para, deri në fund të vitit

Nëse brenda gjashtë muajve Gjykata Speciale arrin të kompletohet me stafin e nevojshëm dhe arrin t’i sigurojë mjetet financiare, pritet që aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, t’i ngrejë në fund të vitit 2016, eventualisht në fillim të vitit 2017

Gjykata Speciale pritet që aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, t’i ngrejë në fund të vitit 2016, eventualisht në fillim të vitit 2017, shkruan “Zëri”.


Kjo do të ndodhë nëse brenda gjashtë muajve Gjykata Speciale arrin të kompletohet me stafin e nevojshëm dhe arrin t’i sigurojë mjetet financiare. Presidentja Atifete Jahjaga ka ratifikuar marrëveshjen me Holandën, shtet ky në të cilin do të vendoset Gjykata Speciale.

E para e shtetit, e ka ratifikuar marrëveshjen me Holandën në bazë të kompetencave të saj kushtetuese për ratifikim të marrëveshjeve duke u bazuar në nenin 18, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 10, paragrafi 4 të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, si dhe në nenin 4, paragrafi 3 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik.

“Me ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje, krahas ratifikimit më 4 shkurt 2016 të “Marrëveshjes së përkohshme ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës i zhvendosur në Holandë”, Kosova përmbush të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare që lidhen me themelimin e Gjykatës Speciale”, thuhet në komunikatën e Presidencës.