Aksioni në "Eko Regjioni", dy persona arrestohen për keqpërdorim në prokurorim publik

Një aksion është zhvilluar të hënën nga ana e Prokurorisë Speciale në ndërmarrjen publike “Eko Regjioni” në Prizren.
Aksioni i cili tashmë ka përfunduar ka rezultuar me arrestimin e dy personave për keqpërdorim të pozitës dhe mashtrim në prokurim publik.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se të arrestuarit janë A.G dhe R.Z.
Sipas Prokurorisë Speciale, A.G. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa R.Z. dyshohet për “Keqpërdorim dhe Mashtrim në prokurimin publik”.
Gjatë hetimeve, hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” dhe të një subjekti privat.
Bastisjet u realizuan në kuadër të hetimeve për dyshimet mbi një aktivitet të dyshuar tenderimi.
Nga kontrolli janë sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme, si prova materiale që lidhen me hetimet.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve në prokurime publike, duke bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë. /Telegrafi/





















































