Policia e Kosovës të mërkurën ka njoftuar se në lagjen Dardania të Prizrenit ka ndërmarrë masa ndaj shoferëve për dëmtimin apo ndotjen e mjedisit përmes parkimit jo adekuat të automjeteve.

Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar tri automjete dhe janë shqiptuar 19 gjoba për kundërvajtje.


“Policia e Kosovës, konkretisht patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren (NJRTRR), gjatë një kontrolli të realizuar sot, më 21 maj 2025, ka ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar shkeljet në zonën e gjelbëruar të rrugës “Rrustë Kabashi” në Prizren, përkatësisht në lagjen Dardania në afërsi të rrugës në drejtimin Prizren– Suharekë”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Gjatë këtij kontrolli, janë identifikuar automjete të parkuara në mënyrë të kundërligjshme në hapësira të gjelbëruara, veprim ky që sipas Policisë së Kosovës përbën shkelje të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat në Trafikun Rrugor, konkretisht Neni 20, paragrafi 9, që ndalon dëmtimin apo ndotjen e ambientit përmes parkimit të mjeteve në vende të ndaluara.

“Si rezultat i këtij aksioni janë shqiptuar 19 gjoba për kundërvajtje dhe janë konfiskuar 3 automjete”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë me veprime të tilla për të siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Ftojmë qytetarët që të respektojnë rregullat në trafikun rrugor dhe të kontribuojnë në ruajtjen e ambientit të pastër dhe të sigurt për të gjithë”, përfundon komunikata e Policisë. /Telegrafi/