Aksident i rëndë në autostradë, Ramadani kërkon përgjegjësi nga shteti


Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, konkretisht në kilometrin e 52-të të segmentit rrugor Prishtinë-Malishevë.
Dy persona (burrë dhe grua), janë lënduar si pasojë e përplasjes së veturës së tyre në anën e djathtë të mbrojtëseve të rrugës.
Komandanti i njësisë së autostradës në Policinë e Kosovës, Ismajl Fejzullahu, deklaroi se gruaja ka lëndime më serioze.
“Burri ka arritur të del nga vetura, derisa për gruan është dashur intervenimi i zjarrfikësve. Sipas informacioneve të deritanishme, ata janë me shenja jete, me vetëdije. Të njëjtët janë dërguar për Prishtinë për të marrë trajtim mjekësor. Gruaja ka lëndime pak më serioze”, deklaroi ai.
“Njëri shirit i rrugës ka qenë i bllokuar si shkak i aksidentit. Për pak kohë pritet të zhbllokohet”, theksoi Fejzullahu.
Ndryshe, kandidati për deputet nga Aleanca, Burim Ramadani ka reaguar pas aksidentit të ndodhur në autostradë, duke kërkuar që përgjegjësit institucionalë të japin llogari për, siç tha ai, mosmirëmbajtjen e rrugës.
Sipas Ramadanit, mirëmbajtja e autostradave dhe rrugëve të tjera është obligim ligjor, ndërsa gjendja e papastruar e autostradës nga dheu mund të ketë ndikuar në aksidentin e ndodhur.
"Dikush nga Qeveria dembele duhet të dënohet! Duhet të përgjigjet para drejtësisë. Mirëmbajtja e autostradës (sikurse edhe rrugëve tjera) është obligim ligjor! Lutem për jetën e të aksidentuarve! Por, njëkohësisht, duhet të gjithë të kërkojmë që përgjegjësit në Qeveri të dënohen sipas ligjit!", ka shkruar Ramadani.





































