Akademia Dukagjini mbledh mësimdhënësit nga e gjithë Kosova në nismën "Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie"

Akademia Dukagjini me nismën "Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie" po pozicionohet si një nga më të rëndësishme në fushën e arsimit në Kosovë, duke synuar të shndërrohet në një qendër ekselence për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë.
Me një vizion të qartë për promovimin e inovacionit pedagogjik dhe përmirësimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe të nxënit, kjo akademi synon të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit në vend.
U shpalos nisma "Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie" nga Akademia Dukagjini www.youtube.com
Profesor Bardhyl Musai gjatë shpalosjes së nismës "Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie", theksoi rëndësinë e saj duke i dhënë fokus rolit aktiv të mësimdhënësve në procesin e profesionalizimit.

“Kjo është një nismë që ka synim të fuqizojë mësimdhënësit. Ata kanë rezultate në punën e tyre, kanë praktika të suksesshme, por shpesh nuk i bëjnë publike. Tani kjo nismë fillon nga vetë pjesëmarrësit të cilët do të prezantojnë përpara kolegëve praktikat e tyre më të mira, përmes një procesi përzgjedhës”.
Ai shtoi se përhapja e praktikave të suksesshme do të kontribuojë dukshëm në rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
“Duke masivizuar ekspozimin e këtyre praktikave, ne ndikojmë në përmirësimin e arsimit. Nuk është një lëvizje e thjeshtë, por një lëvizje që fuqizon mësimdhënësit dhe ndërton komunitete profesionale në shkolla”.

Sipas profesor Musait, kjo nismë do të jetë e përvitshme dhe do të zgjasë rreth katër deri në pesë muaj çdo vit, duke mbajtur gjallë kreativitetin dhe inovacionin e mësimdhënësve.
Aplikimi për këtë nismë do të jetë i hapur për një muaj, deri më 26.12.2025 në orën 16:00.
Drejtori ekzektutiv i Akademisë Dukagjini, Blerim Muhaxhiri theksoi se kjo akademi vjen si një organizatë jofitimprurëse, e cila ka për mision zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet.

“Akademia ka ardhur me idenë, vizionin dhe misionin e saj për zhvillimin e arsimit. Është një organizatë jofitimprurëse që synon trajnime, hulumtime shkencore dhe projekte të ndryshme, duke pasur gjithmonë në fokus mësimdhënësit dhe nxënësit”.

Ai theksoi se projekti “Praktika të suksesshme të mësimdhënies dhe të nxënit” do të jetë i përvitshëm, por akademia pritet të zhvillojë edhe projekte të tjera në vitet e ardhshme.
Njëra nga të pranishmet ishte edhe mësimdhënësja Nafije Rexha nga Komuna e Mitrovicës.

Ajo shprehu mirënjohjen për këtë iniciativë, të cilën e sheh si një mundësi të rëndësishme për mësimdhënësit.
“Më vjen shumë mirë që Shtëpia Botuese Dukagjini ndërmerr një sfidë kaq pozitive që do të ndikojë shumë në punën e mësimdhënësve. Edhe ata që nuk ishin prezent sot, do të kenë mundësi të bëhen pjesë e praktikave të tilla”.

Ajo theksoi se një nismë e tillë kontribuon në arritjen e standardeve të kompetencave sipas Kornizës së Kurrikulës së Kosovës, duke u mbështetur edhe në modele të suksesshme ndërkombëtare, si ato të Finlandës. /Telegrafi/




















































