Ai ia doli mbanë Brigitte Macroni me “le shuplakë”?

Nga: Rowan Pelling / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Ka shumë gjëra që i përkasin së kaluarës, dhe besoj se të gjithë pajtohem që kënga e [grupit] The Crystals, nga viti 1962, Ai më goditi (dhe e ndjeva si një puthje), është një prej tyre. Prandaj, duket paksa e habitshme që presidenti i Francës po i kërkon botës të pranojë versionin e tij për incidentin për të cilin po flasin të gjithë: ajo ma përplasi në fytyrë dhe ndihej si “tallje”.
Por, pikërisht këtë do të donte Emmanuel Macron ta besonim për atë moment - të kapur nga kamerat, teksa ai dhe bashkëshortja e tij Brigitte po zbrisnin nga aeroplani pasi kishin mbërritur në Vietnam - kur ajo i drejtoi duart drejt fytyrës së tij dhe e shtyu tutje para syve të ekuipazhit.
Këtë vjeshtë mbush 30 vjet martesë. Ndonjëherë humbas durimin me burrin tim, por gjëja më e keqe që kam bërë ndonjëherë ka qenë të bërtas dhe të largohem me zemërim nga dhoma duke e tërhequr vëmendjen te vetja në mënyrë dramatike. Dhe, kjo kur askush nuk po na shihte.
Ka diçka thellësisht shqetësuese dhe instinktive për çdo gjest zemërimi që drejtohet ndaj fytyrës së një personi; një pjesë e trupit që është gjithmonë e pambrojtur dhe e ndjeshme.
Isha fëmijë në vitet '70, në kohën kur ende nuk ishim të ndjeshëm ndaj korrektësisë politike, dhe prindërit ndonjëherë i godisnin fëmijët në të pasme, si një ndëshkim për sjellje të këqija - përfshirë edhe nënën time shumë të dashur. Megjithatë, më kujtohet që ajo më tha se kur një i rritur godiste një fëmijë afër fytyrës, ajo ishte “forma më e keqe e ngacmimit dhe poshtërimit që një njeri mund t’i bëjë tjetrit”.
Megjithatë, duket se “shuplakagejti” mund të trajtohet si moment i një shakaje të padëmshme bashkëshortore. Arsyeja e vetme pse, sipas mendimit tim, po minimizohet kjo ngjarje është sepse kemi të bëjmë me një rast zemërimi të gruas ndaj burrit.
Kujtoni atë moment të zymtë të vitit 2013, kur dolën fotot e Charles Saatchit me dorën rreth fytit të Nigella Lawsonit, ndërsa ajo dukej ashiqare e shqetësuar dhe në prag të lotimit. Askush nuk u befasua kur martesa e tyre përfundoi pak pas këtij incidenti. Në fakt, shumica prej nesh do të ishte tronditur po të kishte qëndruar me të pas shfaqjes kaq publike të zemërimit dhe përçmimit.
Dhe, megjithatë, duket se ekziston një gatishmëri më e madhe për të menduar se udhëheqësi francez mund të tolerojë ndonjë grindje të lehtë nga bashkëshortja e vet. Ndoshta është e mundur që një dorë drejt fytyrës është versioni i tyre i “mjaft”. Por, nuk jam e sigurt se mund ta pranoj shpjegimin e Macronit se “po bëja thjesht shaka me gruan time, siç bëjmë shpesh”.
Më duket shumë më e mundshme që ai moment i agresionit po minimizohet, sepse Macroni do të dukej më pak burrështetas nëse do të dilte se gruaja e tij e vockël ka zakon ta shtyjë përreth. Ende mbeten të ngulitura në mendje ligjet e burrërisë që thonë se burrat janë më të fortë se gratë, ndaj mund ta durojnë një shuplakë apo një shtytje si një goditje fluture - paçka plagëve në shpirt.
Kjo do të sillte gjithashtu në vëmendje edhe një herë mënyrën se si ka nisur marrëdhënia e çiftit, dhe pabarazinë e fuqisë në një rast kur një mësuese dashurohet me ish-nxënësin e saj 25 vjet më të ri - dikë që e kishte njohur qëkur ishte 15 vjeç.
Dua të theksoj se në përgjithësi jam shumë në rregull me lidhjet me diferencë të madhe në moshë. Duhet të jem, duke qenë se babai im ishte 27 vjet më i madh se nëna ime. Por, do të ishte naivitet të injoronim faktin që gratë mund të jenë po aq grabitqare sa burrat kur ndjekin partnerë shumë më të rinj (veçanërisht në një kontekst shkollor), edhe pse ndoshta në numër më të vogël. Ose që, në disa prej këtyre marrëdhënieve, gruaja mund të ushtrojë një nivel shqetësues kontrolli - dhe ky mund të jetë edhe vetë qëllimi i ndjekjes. Njoh dy burra në moshë të mesme që kanë vuajtur nga marrëdhënia abuzive me partnere më të mëdha në moshë.
Sigurisht, gjitha kjo është spekulim, dhe e pranoj që mund të jem larg të vërtetës. Ndoshta disa çifte franceze vërtet e shtyjnë njëri-tjetrin hareshëm në le visage [fytyrë], dhe është pjesë e një loje paraloje të zjarrtë. Por, nëse askush nga ne nuk besoi se ngufatja e lehtë ishte argëtuese për Nigellan, nuk shoh pse duhet të besojmë se një fytyrë e shtyrë është një shaka për presidentin francez. /Telegrafi/

















































