"Ai është njeri i sëmurë", Trump bën thirrje për fundin e regjimit të Khameneit

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje për t'i dhënë fund mbretërimit 37-vjeçar të Ajatollah Ali Khameneit.
“Është koha për të kërkuar një lidership të ri në Iran”, tha Trump, ndërsa protestat e përhapura që kërkojnë fundin e regjimit duket se janë zbehur.
Mijëra protestues në të gjithë vendin u vranë gjatë tre javëve të fundit, duke e bërë Trumpin të kërcënonte vazhdimisht me ndërhyrje ushtarake.
Të martën, Trump u bëri thirrje iranianëve të vazhdonin protestat dhe të "merrnin kontrollin e institucioneve", duke thënë se "ndihma është duke ardhur".
Të nesërmen, presidenti ndryshoi papritur kursin, duke thënë se ishte informuar se vrasjet kishin ndaluar, shkruan Politico.
"Vendimi më i mirë që ai ka marrë ndonjëherë ishte të mos varte më shumë se 800 persona dy ditë më parë", tha Trump të shtunën, kur u pyet për madhësinë e një operacioni të mundshëm ushtarak amerikan në Iran.
Komentet e tij erdhën menjëherë pasi llogaria në X e Khameneit postoi një seri mesazhesh armiqësore drejtuar Trumpit, duke akuzuar presidentin amerikan si përgjegjës për dhunën vdekjeprurëse dhe trazirat në Iran.
Trump, pasi iu lexuan postimet, tha se sundimtarët e Teheranit mbështeten në shtypje dhe dhunë për të qeverisur.
"Ajo për të cilën ai është fajtor, si udhëheqës i një vendi, është shkatërrimi i plotë i vendit dhe përdorimi i dhunës në nivele të papara më parë", tha Trump.
"Për ta mbajtur vendin në funksionim - edhe pse ky funksion është një nivel shumë i ulët - udhëheqja duhet të përqendrohet në drejtimin e duhur të vendit të tij, siç bëj unë me Shtetet e Bashkuara, dhe jo në vrasjen e mijëra njerëzve për të mbajtur kontrollin", shtoi ai.
“Udhëheqja ka të bëjë me respektin, jo me frikën dhe vdekjen”, vazhdoi republikani.
Ky shkëmbim nënvizon një retorikë të ashpër midis Uashingtonit dhe Teheranit në një moment të paqëndrueshëm për rajonin.
“Ky njeri është një njeri i sëmurë që duhet ta drejtojë vendin e tij siç duhet dhe të ndalojë së vrari njerëz”, tha Trump.
“Vendi i tij është vendi më i keq për të jetuar kudo në botë për shkak të një lidershipi të dobët”, përfundoi ai. /Telegrafi/




















































