LAJMI I FUNDIT:

Agjencia Kosovare e Privatizimit: Përdorimi i mjeteve për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike nuk rrezikon kreditorët

Agjencia Kosovare e Privatizimit: Përdorimi i mjeteve për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike nuk rrezikon kreditorët

Qeveria e Kosovës ka paraparë që Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike ta kapë vlerën e 385 milionë eurove, mirëpo ende nuk ka kaluar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës gjenden në pushim dhe në kuadër të këtij Ligji është paraparë edhe bartja e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Kujtojmë se në prill të këtij viti, AKP-ja ka bartur në buxhetin e Kosovës 55 milionë euro. Kjo agjenci ka filluar procedurat e transferimit të 55 milionë eurove në buxhetin e shtetit të Kosovës ku, sipas APK-së, me këtë transferim të mjeteve, shuma e cila është kaluar në buxhetin e Kosovës deri në atë kohë ishte 381 milionë e 734 mijë e 330 euro.


Kjo është bërë me dije nga një komunikatë për media, ku është thënë se bordi i drejtorëve të AKP-së ka vendosur që 55 milionë e 15 mijë e 326 euro të “Fondeve të Përkohshëm” të transferohen në buxhetin e Kosovës.

“Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare i Privatizimit mbajti mbledhjen e tij të rregullt ku u azhurnua mbi zhvillimet dhe aktivitetet e fundit gjatë muajit mars, ku diskutoi për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin e vet ligjor dhe mori vendime të rëndësishme”, është thënë në komunikatë.

Mirëpo sipas AKP-së, nga tërheqja e këtyre mjeteve assesi nuk do të rrezikohen kreditorët.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me mandat të qartë të transformimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre përmes një procesi transparent të privatizimit dhe likuidimit të tyre. Në bazë të mandatit ligjor, AKP-ja është e obliguar që të kujdeset për ruajtjen dhe rritjen eventuale të vlerës së aseteve të ndërmarrjeve shoqërore deri në procesin e privatizimit dhe likuidimit, si dhe në kujdesin që duhet të ketë për shpërndarjen e të ardhurave të 20-përqindëshit për ish-punëtorët dhe kreditorët e kualifikuar të ndërmarrjeve shoqërore”, është thënë në përgjigjen e Zyrës për Informim të AKP-së për Epoka e Re.

Kjo zyrë ka shtuar se, “fondet e mbetura pas procesit të likuidimit do të transferohen në buxhetin e Kosovës, ashtu siç kanë bërë deri më tani”.

“Secila Ndërmarrje Shoqërore e transformuar përmes procesit të shitjes/likuidimit, të hyrat nga ky proces mbahen në llogari të veçantë për secilin ish-ndërmarrje shoqërore, duke mundësuar trajtimin e kërkesave të punëtorëve për 20 për qind, kërkesat kreditore deri në procesin e përmbylljes së asaj NSh-je. Siç theksuam më lart, vetëm pasi të realizohen pagesat e kërkesave të punëtorëve për 20 për qind, si dhe shqyrtimit dhe përmbylljes së të gjitha kërkesave kreditore, fondet e një NSh-je në likuidim mund të shpallen fonde tepricë dhe të transferohen në buxhetin e Kosovës, ashtu siç është e përcaktuar me ligjin e AKP-së, pra pa i cenuar të drejtat e punëtorëve për 20 për qind si dhe kërkesat kreditore”, është thënë në përgjigjen e AKP-së.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor WB6 me seli në Itali, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Epoka e Re se, edhe pse AKP-ja ishte target i marrjes së mjeteve për rimëkëmbje ekonomike, është për keqardhje moskalimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, e që duhet të pritet deri më 15 shtator, kur do ta nisë punën Kuvendi.

Ai ka thënë se deputetët e Kuvendit është dashur që ta përfundojnë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, e jo të mendojnë së pari për pushimet e tyre verore.

“Kosova është vonuar sa i përket gjetjes së metodave për rimëkëmbje ekonomike qoftë për mbështetje të sektorit privat, qoftë për mbështetje të qytetarëve. Duhet të kemi një angazhim më të mirë në këtë drejtim, pasi nuk mund të jetohet dhe shteti nuk mund të merret vetëm me agjenda politike. Besoj se është koha kur duhet të jemi më seriozë në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, mirëpo si mund të kërkohet nga mbështetja nga AKP-ja dhe agjencitë e tjera mbështetëse, kur vetë deputetët duhet të jenë në funksion të shtetit dhe jo t’i japin vetes komoditet që në këtë kohë pandemie dhe krize të shkojnë në pushim dhe ky Ligj të presë deri më 15 shtator. Kjo vërtet e dëshmon realitetin e hidhur që në Kosovë mendohet për pushtet dhe jo për shtet. Ata flasin për rimëkëmbje ekonomike, por shumë më tepër u konvenon luksi i tyre sesa të merren me ndihma dhe për gjetjen e mënyrës së ndihmesës për qytetarë dhe për sektorin privat”, ka thënën Gërxhaliu, duke shtuar se fondet nga AKP-ja dhe institucionet e tjera duhet të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik.

“Është interesant qasja ndaj fondeve të tjera. Në këtë drejtim besoj se AKP-ja duhet të jetë një traget dhe prioritet është 20-përqindëshi, pastaj mjetet e tjera të jenë në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike. Sot shumë mjete deponohen nëpër institucione të tjera dhe në BQK. Në vend se të shfrytëzohen për rimëkëmbje ekonomike, mbi të gjitha ndaj këtyre fondeve duhet të ketë garanci të transparencës dhe rimëkëmbjes ekonomike. Kosova është vonuar shumë drejt rimëkëmbjes ekonomike”, është shprehur ai.

Më herët në një intervistë për Epoka e Re deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transferime, Hekuran Murati, pati thënë se ky projektligj për rimëkëmbje ekonomike nuk e adreson këtë çështje.

“Ky projektligj nuk adreson fare çështjen e rimëkëmbjes. E tëra që mund të gjendet në ato pak faqe që ka ky dokument, është propozimi për t’u mundësuar kontributpaguesve t’i tërheqin 10 për qind të mjeteve të tyre nga Trusti, që në thelb është masë likuiditeti e patargetuar për ndonjë sektor apo industri dhe propozimi tjetër që ka të bëjë me dhënien e mundësisë qeverisë që t’i shpenzojë 100 milionë euro nga fondi i privatizimit, për shpenzime për të cilat nuk e ka autorizimin nga Kuvendi. I vetmi sektor që është trajtuar në këtë projektligj është ai i gastronomisë”, pati deklaruar Murati.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratikë i Kosovës, Sejdi Hoxha, ka thënë se është çështje e qeverisë se si vendos për mjetet e AKP-së. Ai ka apeluar që ligjvënësit t’i kthehen punës para 15 shtatorit dhe të kalohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Është çështje e qeverisë se si vendos për mjetet e AKP-së, mirëpo ajo që mund të them unë është se janë vonuar shumë sa i përket planit për rimëkëmbje ekonomike. Më shumë se 6 muaj u është dashur që ta zbatojnë vetëm Pakon e parë Fiskale. Tani me urgjencë duhet të aprovohet Ligji për rimëkëmbje ekonomike dhe qeveria duhet ta ketë prioritete kryesor këtë Ligj”, është shprehur Hoxha.