LAJMI I FUNDIT:

Agjencia e Punësimit me projekte të reja të punësimit

Agjencia e Punësimit me projekte të reja të punësimit

Me rritjen ekonomike që ka gëzuar shteti i Kosovës gjatë viteve të fundit, edhe numri i të papunëve ka ardhur duke rënë. Megjithatë, papunësia vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës. Një numër i madh i të rinjve hyjnë çdo vit në tregun e punës, derisa ka prej atyre që presin me vite për një vend pune.

Në të kaluarën, qeveritë i kanë kushtuar pak rëndësi sektorit të punësimit, por kjo praktikë ka filluar të ndryshojë kohëve të fundit. Për t’i dhënë kahe sfidave në një prej problemeve më të mbrehta në shtetin e ri të Kosovës, Qeveria ka themeluar së fundmi Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës.

Kjo agjenci drejtohet nga Drin Haraçia, i cili është optimist se agjencia me projektet e saj do të ndihmojë në zbutjen e papunësisë në vend.

“Siç e dini Agjencia është një institucion i themeluar së fundmi dhe është në fazën e funksionalizimit të saj. Po ashtu është një institucion që ka shtrirje në të gjithë Kosovën përmes zyrave të punësimit në 38 komunat e Kosovës si dhe 8 Qendrat e Aftësimit Profesional, të cilat janë kryesisht të vendosura në komunat e mëdha të Kosovës”.

“Me pak fjalë agjencia është ofrues publik i shërbimeve në tregun e punës, që ka për qëllim administrimin e tregut të punës dhe zbatimin e politikave të punësimit dhe aftësimit profesional. Shfrytëzuesit e shërbimeve të punësimit janë personat e papunë, punëkërkuesit, punëdhënësit dhe të punësuarit”, shprehet drejtori Haraçia.

Synimet e agjencisë janë implementimi i masave aktive të punësimit, masa të cilat prekin direkt punëkërkuesit, por edhe punëdhënësit dhe palët e tjera të interesuara. Po ashtu, agjencia synon ofrimin e trajnimeve konform nevojave të tregut të punës.

“Në kuadër të Qendrave të Aftësimit Profesional zhvillohen trajnime, por ne planifikojmë që në të ardhmen të zgjerojmë gamën e këtyre trajnimeve konform kërkesave të tregut të punës”, shprehet Haraçia.

Sipas tij, implementimi i masave aktive përmes zyrave të punësimit do të fokusohet te programet të cilat edhe deri tash janë implementuar, gjegjësisht programet si subvencionimi i pagave, trajnimi në punë, praktika në punë, grantet e vetëpunësimit etj etj.

“Këto do të jenë disa nga aktivitetet të cilat agjencia do t’i ketë si synim, gjithnjë duke pasur rritje nga viti në vit dhe deri në vitin 2020 deri kur e kam mandatin tim do të mundohem që të ketë një rritje të numrit të të punësuarve më shumë se deri tani”, shprehet Haraçia.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për çdo vit nxjerr raportin “Puna dhe Punësimi”, i cili adreson çështje që ndërlidhen me punësimin dhe aftësimin profesional në Kosovë. Sa i përket papunësisë, sipas anketës së fuqisë punëtore që nxirret nga Agjencia e Statistikave të Kosovës shkalla e papunësisë është rreth 27%.

Gjatë viteve të fundit qytetarët e Kosovës kanë përfituar edhe nga projektet e punësimit jashtë shtetit.

“Sa i përket punësimeve jashtë shtetit është evidente punësimi në Gjermani. Siç e dini qeveria gjermane në fillim të vitit 2016 ka bërë ndryshime në legjislacion, kështu që u jep mundësi edhe punëkërkuesve të interesuar në Kosovë që të punojnë në Gjermani”.

“Kjo do të bëhet në radhë të parë në ato raste kur ato vende pune nuk mbulohen nga tregu gjerman dhe tregu i BE-së. Punësimi në Gjermani nuk bëhet përmes agjencisë, por ndërmjet punëmarrësit dhe punëkërkuesit. Për këtë duhet kontratë pune paraprake, pastaj duhet të përcillen procedurat për viza në ambasadë. Duhet të themi se ky është një punësim i cili po vazhdon, ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016 si dhe gjatë këtij viti. Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë disa mijëra të cilët kanë siguruar punë në Gjermani”, thotë Haraçia.

Projekt tjetër i agjencisë është edhe subvencionimi i pagave. “Për momentin ne sapo kemi lansuar thirrjen për aplikim për praktikë në punë dhe subvencionim në paga, e cila është bërë e mundur me bashkëfinancimin edhe të GIZ-it gjerman. Ky projekt mundëson përfshirjen e 660 punëkërkuesve të cilët janë të interesuar për praktikë në punë, ku përfshihen rrobaqepësia apo veshmbathja, përpunimi i drurit, sektori i IT-së dhe sektori i përpunimit të drurit”.

“Pra do të jetë një mundësi e mirë punësimi, ku 2 muaj do të paguhen nga GIZ-i, dy muaj nga agjencia dhe 2 muaj të tjerë nga vetë biznesi. Pra do të jetë një periudhë 6 mujore, i cili do të jep mundësinë punëkërkuesve që të bëjnë praktikën në punë për profesionet e lartcekura”, thotë Haraçia.

Po ashtu, në kuadër të kësaj skeme me GIZ-in gjerman, e cila do të startoj më 1 korrik do të ketë mundësi subvencionimi të pagave, pra punëdhënësi do të japë një pjesë të pagës, kurse ministria një pjesë tjetër në kohëzgjatje për 12 muaj.

“Lidhur me këtë projekt i inkurajoj të gjithë punëkërkuesit dhe punëdhënësit që t’i vizitojnë Zyrat e Punësimit në komunat e tyre dhe Qendrat e Aftësimit Profesional, të cilat ofrojnë mundësi të mira përkrahëse”, thotë Haraçia.

Po ashtu, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës për të ardhmen po punon edhe në projekte me donatorë të tjerë. “Ne kemi implementuar projekte në kuadër të implementimit të masave aktive të bashkë financuara edhe me Ambasadën Angleze, Finlandeze, Zvicrane, UNDP-në, Komisionin Evropian etj”, thotë drejtori Haraçia. /Ekonomia-ks.com/Telegrafi/