LAJMI I FUNDIT:

Agim Bahtiri tregon se pse nuk po hapet ura mbi Ibër

Agim Bahtiri tregon se pse nuk po hapet ura mbi Ibër

Bazuar në marrëveshjen e Brukselit, të arritur në gusht të vitit 2015 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, heqja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” dhe riparimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, lum ky i cili ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, është dashur të përfundojë deri në mes të qershorit të vitit 2016, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës jugore, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se obstruksionet që vijnë nga strukturat komunale të Komunës së Mitrovicës së veriut, si dhe nga autoritetet e Serbisë, janë shkaktarët kryesorë që ura nuk është lëshuar për qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve, ashtu sikurse ishte paraparë në marrëveshje.

Sipas tij, autoritetet lokale të komunës së Mitrovicës së veriut, të mbështetura nga autoritetet e Serbisë, kanë kushtëzuar lirimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, me përcaktimin e kufijve administrativ ndërmjet komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës.

“’Mollë sherri’, sipas tij, është fshati Suhodoll, të cilin komuna veriore pretendon ta ketë nën zonën e saj administrative, ndërkohë që sipas Bahtirit, ajo është pjesë e komunës jugore, gjë që sipas tij e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, sipas tij, kushtëzimet e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut nuk kanë përfunduar dhe duke u bazuar në ligjin e administrimit të pushtetit lokal, kërkojnë partneritetet në administrimin e Suhodollit.

“Tash, në bazë të atij ligji, ata po kërkojnë që tu japim kompetencat e një lagjeje në fshatit Suhodoll i Epërm, i cili ka qenë dhe është ende i përzier me serbë dhe shqiptarë. Ata kërkojnë ta marrin administrimin mbi atë lagje, do të thotë, duke ia deleguar Kuvendin komunal të Mitrovicës së jugut, Kuvendit të pjesës së veriut. Ne këtë gjë nuk e kemi pranuar në asnjë formë. Ne mund të bëjmë partneritet, por asnjë kompetencë nuk mundet t’i lejohet asnjë komune tjetër. Ne jemi duke e mbrojtur maksimalisht që kjo të mos ndodhë”, thotë Bahtiri.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë opinionin e tij lidhur me mosrealizimin deri më tash të marrëveshjes për revitalizimin e urës kryesore mbi Ibër.

Ndryshe, në raportin e Qeverisë së Kosovës për Bashkimin Evropian, të cilin e ka nënshkruar ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, thuhet se Serbia është vonuar me largimin e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” dhe se Bashkimi Evropian “nuk ka qenë në gjendje që ta fillojë procesin e revitalizimit, i cili është dashur të përfundojë në qershor të vitit 2016.”

Igor Simiq, këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e hapjes për qarkullim të lirë të urës kryesore mbi lumin Ibër nuk është dashur fare që të jetë temë bisedimi dhe marrëveshjeje në Bruksel.

“Unë nuk e shoh arsyen pse të ngriten kaq tensione për një urë, duke pasur parasysh faktin që ndërmjet pjesës veriore dhe jugore të qytetit ekzistojnë disa ura, që janë krejtësisht funksionale dhe përmes të cilave zhvillohet normalisht qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve”, ka thënë Simiq.

Por, çfarë thonë qytetarët shqiptarë dhe serbë lidhur me mos hapjen e deritashme të urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullim?

Një qytetare shqiptare nga Lagjja e Boshnjakëve e sheh si shembullin më negativ barrikadën e ashtuquajtur “Parku i paqes”.

“Kishte me qenë më mirë që të kalojmë me vetura, sepse e kemi shumë më afër. Por, është problem. Shpresojmë që do të lirohet ndonjëherë”.

Lorena Hajrizi, që aktualisht jeton në pjesën jugore të Mitrovicës, thotë se mungon liria e qarkullimit të shqiptarëve në veri të këtij qyteti.

“Ne nuk jemi të lirë që të qarkullojmë këtu, sepse jemi të bllokuar prej serbëve. Nuk jemi të lirë që të shkojmë t’i vizitojmë shtëpitë tona të djegura dhe gjithçka tjetër që kemi në atë pjesë. Nuk jemi të lirë që të vijmë këndej, asnjëherë”, thotë Hajrizi.

Ndërkaq, qytetarët serbë të Mitrovicës së veriut janë të ndarë në mendime lidhur me çështjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Unë nuk do ta hapja. Pse ta hapim dhe t’i hapim vetes telashe dhe probleme”, tha qytetari serb nga Mitrovica e veriut.

Por, një bashkëqytetar tjetër i tij, mendon ndryshe.

“Nuk mund të lëvizim dhe qarkullojmë lirshëm nga njëra anë në tjetrën. Gjithkund në botë urat i bashkojnë njerëzit, ndërkaq, këtu në Mitrovicë, urat i ndajnë njerëzit”, tha qytetari serb.

Kryetari i komunës së Mitrovicës jugore, Bahtiri, ka theksuar se autoritetet e Kosovës duhet të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që marrëveshja, lidhur me lirimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, të zbatohet.

“Ne duhet të ecim përpara. Tash ka mbetur që të bisedojmë me Brukselin që të ushtrojë ndikim mbi Beogradin, që kjo punë të përfundojë. Ne po shpresojmë dhe po presim, sepse marrëveshja ka qenë për deri në fund të qershorit.”

“Ne do të presim, si institucione të Kosovës, se çka do të ndërmarrë BE-ja. Ajo ose duhet të veprojë ose duhet të deklarohet se çfarë po ndodhë dhe pse nuk po realizohet. Le të deklarohet dhe ne pastaj do të marrim veprime të tjera, të cilat janë të vështira, por ne duhet t’i realizojmë, sepse ura duhet të jetë çdo herë e hapur”, thotë Bahtiri.

Sido që të jetë, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë theksuar se përparimi i revitalizimit të urës varet nga pjesëmarrja konstruktive dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve. Sipas tyre, Bashkimi Evropian, përmes rolit të moderatorit, po punon me të gjitha palët me qëllim që të zbatohen marrëveshjet dhe që do të çonte në zgjidhje të qëndrueshme, si dhe që do t’i njoftojë qytetarët e Mitrovicës me kohë lidhur me ndryshimet dhe zhvillimin e situatës.

Barrikada, e ashtuquajtur “Parku i paqes”, ishte vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori