Afati kalimtar ...
Kur dëgjojmë togfjalëshin “afat kalimtar”, automatikisht na shkon mendja tek futbolli, por që në Kosovë tash e tutje ka marr konotacion tjetër. Pjesa e kohës parazgjedhore pothuaj që sjell këtë, si nga traditat shekullore. Nga kjo po shihet se, cila nga interesat po del ngadhënjimtare , ajo individuale, partiake apo ajo shtetërore!?
Ato kalime (apo pazarllëqet me njerëz) janë të niveleve të ndryshme:
- Atyre që për shkaqe të ndryshme, e më së shumti për shkak të ndikimit partiak-“bajraktarllaku”. Pra, kur po zhvishen tërësisht nga ky ndikim brenda partiak, po kërkojnë mundësi tjera, e që shumë shpesh kemi pa e edhe po shohim se po dalin me nisma të veta politike për të kërkuar votën. Dhe këtu domosdoshmërish ka vendin ajo thënia e moçme e popullit se: “Më mirë është të jem i pari në katund se sa i dyti në Paris”
- Shumë herë kemi dëgjuar patosin politik të tyre, duke propaganduar programin politik, dhe duke u rrahur në të gjatë debateve të shumta politike. Por kur nuk po realizojnë qëllimet e veta aty, po kalojnë në partinë tjetër dhe po harrojnë programin që kishin, dhe që unë sërish me dashje duhet t`i referohem një thënie tjetër të popullit: “shkojnë kah të fryn era”, dhe era nuk do t’i lë në një vend, do t`i rrokullis pa ndalur.
- Ka edhe të tillë që politikën po e shohin si mundësi për të filluar biznes, e që realisht po ndodhë. Janë hy me vrap në politikë me qëllime për ta shfrytëzuar këtë amulli që nuk po i vije fundi. Dëshirojnë të fillojnë lojën e politikës dhe për t`ua siguruar ekzistencën edhe stërnipave, dhe këtë duke pasur si model veprimet e paraardhësve të tyre. Partitë politike janë duke u krenuar për transferime të lira, dhe ato për çdo ditë dhe natë i kemi nëpër media duke propaganduar për transferimet e tyre dhe duke shpresuar që loja e tyre të jetë më cilësore në sezonin që po fillon, por që shumë nga to, duke parë pragun, shpresojnë për të mbetur në ligë(Parlament). “Njeriu është i sinqertë krejtësisht, vetëm kur është vetëm”, derisa në anën tjetër, publikisht flasin për fitore, e këtë shumë nga ta e kanë vetëm si imagjinatë.
Nuk mund t`i shmangem, pa i shkruar edhe unë dy rreshta rreth paradoksit të krijuar në Kuvendin e Kosovës, ditë më parë. Aty u krijua një skenë qesharake që shumë pak njerëz arritën ta kuptonin. Kryeministri Thaçi u kërkonte deputetëve që ta votonin mocionin, e që rezultonte me shkarkimin e tij, e në anën tjetër, opozita që edhe si qëllim primar ka rrëzimin e qeverisë për të ardhur vet në krye, atë ditë nuk votoj mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Situatë komike, apo jo?
Me të vërtetë vendi ka nevojë për një ndryshim rrënjësor, por besimi ka humbur aq shumë sa që populli nuk po i besojnë më askujt, madje as atyre që nuk i kanë shijuar “kolltukët e butë”, duke menduar që karrigia po e ndryshuaka njeriun.
(Autori është kandidat për titullin master, në Fakultetin e Filologjisë, dega Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës)



































