LAJMI I FUNDIT:

Adrian Paci prezanton në Itali veprat e 10 artistëve shqiptarë (Foto)

Adrian Paci prezanton në Itali veprat e 10 artistëve shqiptarë (Foto)

Kuratori Adrian Paci prezanton në Milano artistët bashkëkohorë shqiptarë me ekspozitën “Ex Gratia”. Ky rrugëtim lindi në “Art House” të Shkodrës.

“Nuk e pata menduar asnjëherë se një ditë do të ftoja në Itali 10 artistë shqiptarë të artit bashkëkohorë, për të prezantuar veprat e tyre. Sot që mundem t’i shoh të gjithë së bashku, jam i bindur se, kur artistët bashkohen dhe prekin emocionin njerëzor, ndodh mrekullia”, shkruan Giuseppe Iannaçone për dhjetë artistët shqiptarë, që ekspozojnë punët e tyre në Milano të Italisë.


Ekspozita “Ex Gratia” vjen si bashkëpunim i qendrës “Art House” në Shkodër edhe Giuseppe Iannaçone, kuruar nga Adrian Paci dhe Rischa Paterlini, me bashkëpunimin e veçantë të profesorit Zef Paci. Artistët pjesëmarrës janë: Bora Baboçi, Alketa Ramaj, Jetmir Idrizi, Stefano Romano, Silva Agostini, Remijon Pronja, Alket Frashëri, Lek M. Gjeloshi, Iva Lulashi dhe Fatlum Doçi.

Artisti i njohur Adrian Paci rrëfen se gjithçka ka lindur në Shkodër, në Shqipëri, në qytetin dhe në shtëpinë e tij, të cilën e ka ndërtuar disa vite më parë dhe të cilën ka dashur ta përdorë jo vetëm si shtëpi private, por edhe duke vendosur pak në diskutim këtë idenë e vendit privat, të vendit të mbyllur, të një vendi që është vetëm për individin.

“Kam dashur ta hap qoftë për komunitetin lokal në Shqipëri, që ka kontribut ndërkombëtar përsa i përket artistëve, kuratorëve, kritikëve që unë njoh nëpërmjet aktivitetit tim artistik këtu. Prandaj, kur shtëpia u ndërtua ishte menduar si një vend me dy hapësira: njëra private sigurisht, por edhe një hapësirë tjetër ku shpesh publiku ‘pushton’ shtëpinë dhe ku vijnë miq nga bota e artit, që ndajnë me ‘skenën lokale’ le të themi eksperiencën e tyre”, shprehet Paci për mediet italiane.

E gjithë kjo bëhet, duke bërë bashkë një tjetër nivel intelektual diskutimi në atmosferën intime të një shtëpie. Një pjesë e këtij projekti ka lindur vitin e kaluar në “Art House School”, ku u bë bashkë një grup të rinjsh shqiptarë që jetojnë në Shqipëri.

Në këtë periudhë katërjavore shtëpia mirëpriste edhe kuratorë apo artistë ndërkombëtarë. Vitin e shkuar ishin: Adam Budak, Emily Jacir, Tommaso Saçhietj.

“Erdhi gjithashtu edhe Rischa Paterlini, sepse ajo po përpiqej të ftonte një artist shqiptar për ta përfshirë në projektin e saj, që praktikisht zhvillonte prej disa vitesh. Erdhi atje dhe e kuptoi se nuk ishte e përshtatshme të zgjidhte një artist të vetëm, por i pëlqeu atmosfera, i pëlqyen punët e bëra, por edhe shpirti që fshihej pas këtyre punëve. Kështu vendosi që të sjellë në Milano të gjithë grupin”, thotë Paci.

Kështu nisi kjo aventurë për të transformuar këtë eksperiencë jetësore, dijesh të lindur në Shkodër, përsa i përket punëve të çdo artisti, dhe pastaj punimet e tyre t’i sillte në një hapësirë dhe kontekst të tillë, që përfshin zyra, koleksione, studio ligjore etj.

“Ndonjëherë këto limite bëhen mundësi për t’u shfrytëzuar. Është bërë punë edhe përsa i përket përzgjedhjes së punimeve të çdo artisti jo vetëm me Rischan, por edhe me çdo artist, në veçanti që në njëfarë mënyre të dialogonin me veprat e koleksionit. Dhe ja ku jemi në inaugurimin e kësaj aventure”, shton Paci për ekspozitën që do të qëndrojë e hapur për gjithë artdashësit deri 13 korrik 2018 në Collezione Giuseppe Iannaçone, Milano. /Shekulli/