“Adolescence” triumfon në Critics Choice: katër çmime dhe fitore historike për Owen Cooper

Seriali i Netflix Adolescence ka shënuar një tjetër sukses të madh në sezonin e çmimeve, duke fituar katër çmime në Critics Choice Awards, të mbajtura të dielën mbrëma në Los Angeles.
Pas triumfit me tetë çmime Emmy në vitin 2025, produksioni u shpall edhe Seriali më i Mirë i Limituar, duke konfirmuar vlerësimin e lartë nga kritika.
Në qendër të vëmendjes ishte aktori 16-vjeçar Owen Cooper, i cili u shpall Aktori më i Mirë Mbështetës, duke u renditur mes fituesve më të rinj në historinë e këtij çmimi. Ndërkohë, Stephen Graham fitoi çmimin për Aktorin më të Mirë, ndërsa Erin Doherty u vlerësua si Aktorja më e Mirë Mbështetëse për interpretimet e tyre në serial, shkruan DailyMail.

Adolescence rrëfen historinë e një djali të akuzuar për vrasje, duke trajtuar ndikimin e kulturës “incel” në internet.
Me rreth 45 milionë shikime mujore, seriali është kthyer në një nga prodhimet më të ndjekura dhe më të diskutuara globalisht, veçanërisht për mesazhin e tij social.

Gjatë fjalimit të pranimit, Owen Cooper u shpreh: “Faleminderit kritikëve dhe të gjithëve pas skenave që e bënë të mundur këtë natë. Viti që kaloi ka qenë një vorbull e vërtetë për mua dhe familjen time dhe na ka ndryshuar jetën përgjithmonë”.
Fitorja e tij vjen pas konkurrencës së fortë me emra të njohur të televizionit.
Edhe Stephen Graham, duke marrë çmimin e tij, theksoi vlerat njerëzore të projektit: “Të gjithë jemi të barabartë. Ky ishte etosi që e udhëhoqi këtë prodhim”, tha ai, duke shtuar një mesazh prekës për prindërit që të përqafojnë dhe duan fëmijët e tyre. /Telegrafi/















































