LAJMI I FUNDIT:

Ademët e sakrifikuar dhe Ademët e margjinalizuar!

Kodoshët e Dardanisë kundër Tribunëve të Lirisë!

Më datën 5, 6 dhe 7 mars shënohet (por nuk festohet zyrtarisht!!) ngjarja më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve te Kosovës, qëndresa e pashembullt edhe në përmasa planetare e Komandantit Legjendar Adem Jasharit me ç’rast, duke luftuar dhe duke kënduar ikën në përjetësi Komandanti me thuaja të gjithë anëtarët e familjes së tij që ishin ngujuar në Odën-Kullë të Shaban Jasharit dhe të cilët në fakt vdiqën si bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jasharit.

Kjo ngjarje i dha një dinamikë dhe përmbajtje të re luftës së lavdishme të UÇK-së duke sensibilizuar opinionin vendor dhe ndërkombëtar si dhe duke lakuriquar skajshmërish dhunën e kamufluar të regjimit serb kundër shqiptarëve, në radhë të parë dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës që e donin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

Qëndresa dhe sakrifica e Komandantit Legjendar shërbeu si nxitje edhe për ata që ishin më pak trima duke ua rikthyer dinjitetin, krenarinë dhe gatishmërinë për të kontribuar për lirinë e Kosovës. U organizuan shumë mitingje, protesta, demonstrata dhe manifestime në të cilat brohoriteshin slogane për Drenicën, Adem Jasharin, UÇK-në dhe Kosovën. Ishte një blic rilindje kombëtare.

Luftën e bënë ashtu si ditën dhe përkundër mundësive që i kishin mirëpo lufta e lavdishme e UÇK-së përfundimisht e theu mitin se me Serbinë nuk mund dhe se nuk duhet të luftohet. Përballë vendosmërisë për të luftuar deri në fund për lirinë e Kosovës qëndronte opsioni i mosbërjes asgjë, vegjetimit nën hijen e Serbisë, ai i ashtuquajturi i rezistencës pasive e që nuk ishte kurrfarë rezistence por ishte thirrje për ruajtjen e status quo-s! Po të kishte guxim dhe gatishmëri nga krahu pasiv të përkrahej lufta e UÇK-së ngjarjet do të shkonin në drejtim tjetër!

Historia e Mukjes (Shqipëri) u përsërit edhe në Kosovë. Gjatë luftës, e sidomos pas përfundimit të luftës emri i Komandantit Legjendar Adem Jashari përdorej shumë, për dikend si frymëzim , për tjetrin si arsyetim! Pa e arritur asnjë qëllim politik e ushtarak, ish ushtarët e UÇK-së, të nxitur nga eprorët e tyre karrieristë parakaluan rrugëve të kryeqytetit pasi më parë, pa asnjë kusht i dorëzuan armët! Nuk njoh rast të tillë në botë! Po parakalon dhe këndon pse po i dorëzon armët!! Të gjithë e dimë pastaj çka ndodhi me ish UÇK-në!! U tredh në TMK e tash po shtërtredhet në FSK!!

Emri i Komandantit tashmë përmendet shumë rrallë mbase për shkak të ndjenjës së turpit!! Në kryeqytetin e Kosovës askund nuk mund ta gjeni shtatoren e Adem Jasharit!! Një numër i ish bashkëluftëtarëve të tij u shndërruan në hajna, zhvatës, profiterë në kushte paqeje andaj për ta Adem Jashari është i padëshirueshëm ngase u rri si shpatë e Demokleut mbi ndërgjegjen e tyre të pistë! Adem Jashari ua zhvesh patriotizmin e tyre të rremë, pafytyrësinë e tyre dhe moralin e qindfishtë!! Këta, nga cuba të rëndomtë, pas përfundimit të luftës u shndërruan në kusarë modernë!! Tashmë, një pjesë e tyre Adem Jasharin nuk e duan as si kujtim!! Prandaj, e margjinalizojnë Adem Jasharin!!

E kam të freskët ngjarjen kur në Prishtinë organizohej varrimi i antinomit të Adem Jasharit ndonëse ka përpjekje të krahasohet si binom i tij e që nuk është asgjë përveç një paturpësie flagrante, me iniciativën e Ademit të dytë, gjithashtu të margjinalizuar sot (Adem Demaçit) e morën një kurorë dhe shkuan drejt e në Prekaz tek varrezat e Jasharajve. E nderuan veprën e tyre të madhe dhe përjetësinë dhe pastaj shkuan në Odën e Jasharajve. Na priti Murat Jashari të cilit Ademi që u sakrifikua tërë jetën dhe që po margjinalizohet sot, po e kuptoni se e kam fjalën për Bacën Adem iu drejtua me fjalët: “Kemi ardhur këtu, me këta shokët e mi për t’i nderuar vlerat e vërteta kombëtare dhe për t’i respektuar ata që vërtet e meritojnë respektin …” Atë ditë kishte shumë pak njerëz në Odën e Jasharajve..!

Në ndërkohë u krijuan rrethana të reja. Përsëri shumë pak flitej për Ademët e sakrifikuar dhe thuaja të harruar!! Adem Jashari nuk duket asgjëkundi në Prishtinë e besa edhe Adem Demaçi rrallë shihet! Tashmë në lojë janë heronjtë e rinj të kontrabanduar si të tillë dhe të cilët janë shndërruar në milionerë të paskrupullt! Në mesin e një pjese të tyre Adem Jashari nuk do të ndihej mirë ashtu siç nuk ndihet mirë as Adem Demaçi sot!

Sepse, të tillët po e gërryejnë sot Kosovën deri edhe te varret! Duket e pa besueshme ndërsa sot shumë e dukshme! Dhembshëm e dukshme!! Sot, fatkeqësisht Kosova është larg idealeve të Ademëve të sakrifikuar dhe margjinalizuar sepse Kosova është bërë tokë (jo shtet!!) e premtuar për hajdutët e të gjitha llojeve injorantëve, jo kompetentëve dhe llaskucëve, vendorë dhe ndërkombëtarë!

Paradoksalisht, në emër të vlerave njerëzore dhe kombëtare sot promovohen antivlerat. Andaj Adem Jashari është mirë aty ku është dhe do të bëhej mirë që edhe Adem Demaçi t’i bashkëngjitej! Kjo është dëshirë e atyre, që kinse, duke ua njohur sakrificën po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për margjinalizimin e tyre! Në mënyrë që edhe për te të fliten fjalë të mëdha!! Pas vdekjes! Që të bëhet i Madh sepse sipas logjikës së injorantit madhështija e njeriut fillon kur përfundon jeta fizike, kur njeriut i mbyllet goja! Kur nuk mund të flasë!

Injoranti nuk respekton vepra, nuk njeh vepra sepse nuk është i zoti të krijojë vepra!! Për injorantin vlera e veprës paraqet sipërfaqen e kolltukut të prapanicës së tij dhe “autoritetin” që e ushtron mbi mjeranët që e përcjellin, dëgjojnë dhe i binden! Prandaj, sot të dy Ademët që tërë jetën janë sakrifikuar nuk kanë as një arsye të ndjehen keq pse janë margjinalizuar! Shumëherë përpjekja për injorim dhe margjinalizim në fakt duhet të merren si respekt dhe nderim!

Te shqiptarët, për fat të keq ende vlen një rregull kur në udhëkryqin e madh të historisë, jo në pak raste ngatërrohen rrugët që çojnë drejt turpit dhe përjetësisë! Barazohet vendimi dhe interpretimi!
Prandaj, sot në raste të veçanta të katarsit të çastit i cili zgjat shumë pak edhe flitet për sakrificat e dy Ademëve, idealet e tyre që nuk janë realizuar në tërësi por që, këta që i kanë mbijetuar kohërat e vështira e për të cilët nuk jam shumë i sigurt se do t’i mbijetojnë këto kohëra, po angazhohen për realizimin e këtyre idealeve! Edhe kjo është çështje e lirisë së interpretimit!! E arsyetimit!!

Sot në të gjitha shkollat ora, e parë e mësimit i kushtohet luftës së UÇK-së dhe sakrificës antologjike të Komandantit Legjendar Adem Jasharit. Një orë brenda një viti për një ngjarje aq të rëndësishme!! Kjo mund t’ju ndodhë vetëm shqiptarëve, asnjë populli tjetër në botë!! Prandaj i kemi Ademët e sakrifikuar aq të margjinalizuar! Prandaj historinë tonë e kanë shkruar kryesisht ata që nuk e kanë dashur atdheun, e kanë lexuar ata që e kanë dashur atdheun pas së cilës e kanë dashur edhe më shumë dhe e kanë interpretuar politikanët! Si përfundim, deri sa ta kemi këtë gjendje do t’i kemi Ademët e sakrifikuar dhe Ademët e margjinalizuar!!! Për turpin tonë!

(Autori është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale)