LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku thotë se LDK-ja po ofron masa konkrete për tejkalim të krizës, por nuk tregon cilat janë ato

Abdixhiku thotë se LDK-ja po ofron masa konkrete për tejkalim të krizës, por nuk tregon cilat janë ato

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi të shtunën se partia e tij ka ofruar propozime konkrete për lehtësimin e krizës së rritjeve të çmimeve, megjithatë nuk ka treguar se cilat janë ato.

Sipas tij, inflacioni ka arritur 20 për qind, e çmimi i produkteve të shportës është dyfishuar, ndërsa buxheti për investime kapitale është realizuar vetëm 11 për qind, mirëpo shtoi se “prapë ky pushtet nuk po dëgjon, dhe atë në kohën kur kriza ekonomike pritet të jetë më e rënda në dekadën e fundit”.


Këto deklarata ai i bëri në kuadër të ciklit të ri debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, me ç’rast Abdixhiku u takua me struktura e qytetarë të Pejës, ku diskutoi për programin e ri të LDK-së si dhe për krizat nëpër të cilat po kalon Kosova, me theks të veçantë për ato ekonomike.

“Nuk ka krizë të cilën ky pushtet nëse nuk e ka prodhuar, sigurt e ka thelluar, ndërsa përballë të gjitha krizave, LDK ka ofruar ide dhe propozime konkrete për lehtësim apo tejkalim të tyre, mirëpo papërgjegjësia dhe padëgjueshmëria qeveritare është krizë e veçantë”, u shpreh i pari i LDK-së.

“Kjo Qeveri mund të ushqehet me kriza e të jetoj nga to, mirëpo çmimi i këtyre krizave është bërë i papërballueshëm për qytetarë. Nuk mund që qytetarët fillimisht t’i braktisësh e pastaj edhe t’i ndjekësh për t’i ndëshkuar. Rasti i fundit ishte kur 25 mijë familje të mësimdhënësve u përballën me ndëshkimin qeveritar, duke u dënuar kolektivisht në ditë të demokracisë.  Mësimdhënësve ua ndalën pagat duke iu vështirësuar jetën edhe më tej, duke mos u mjaftuar me vështirësitë e krizave të tjera që ata si tërë shoqëria po kalojnë”.

Abdixhiku komentoi edhe dorëheqjen e Rifat Latifit nga posti i Ministrit të Shëndetësisë. Ai tha se ministri i vërtetë i kësaj ministrie është vetë kryeministri, “ndaj dhe ky është dështimi i tij, i cili po e dëmton rëndë edhe shëndetin e qytetarëve”.

“Ndryshimi i tre ministrave në vetëm një vit e gjysmë nuk mund të jetë problem i vetë ministrave. Jo, ky është problem i keqmenaxhimit dhe paaftësisë së Kurtit për të organizuar punën e Qeverisë; për dorëheqjen e fundit të Latifit, ministrit të tretë me radhë, nuk duhet të kërkojmë përgjegjësi vetëm nga ministrat, por edhe nga kryeministri”. /Telegrafi/