Abdixhiku: Pushteti kërkoi nënshtrim, ne zgjodhëm Republikën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje si pasojë e, siç tha ai, kërkesave të pushtetit për “nënshtrim politik”, të cilave opozita nuk iu është përgjigjur.
Sipas Abdixhikut, LDK ka qenë e hapur për bashkëpunim institucional, duke përfshirë konsensusin politik dhe takimet me palët e tjera, por procesi ka përfunduar me kërkesa që ai i cilësoi si të papranueshme.
“Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti me 51% kërkoi nënshtrim. Ne zgjodhëm Republikën”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shtuar se LDK ka ofruar bashkëpunim në disa nivele, përfshirë edhe propozime konkrete, por që sipas tij janë injoruar nga pala tjetër. Abdixhiku përmendi edhe çështjen e kandidaturave dhe nënshkrimeve, duke thënë se partia e tij ka vepruar brenda mundësive që kishte.
Në deklaratën e tij, kreu i LDK-së kritikoi mënyrën se si është trajtuar presidentja e vendit në proceset politike, duke thënë se ajo është parë vetëm si element numerik për shumicën parlamentare, e jo si figurë përfaqësuese e shtetit.
Abdixhiku theksoi se dallimi mes LDK-së dhe pushtetit aktual qëndron në qasjen ndaj institucioneve dhe mënyrës së qeverisjes, duke shtuar se këtë dallim, sipas tij, do ta vendosin qytetarët në zgjedhje.
Ai bëri thirrje për bashkim të qytetarëve që, siç u shpreh, duan një Kosovë “normale, pa dramë dhe me dinjitet institucional”, duke nënvizuar se LDK synon rikthimin si forcë politike përfaqësuese në vend.




















































