Abdixhiku: Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti kërkoi nënshtrim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se vendi shkoi në zgjedhje pasi, siç tha ai, “pushteti me 51% kërkoi nënshtrim”.
Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale, diku në qershor, më së voni, pasi Kuvendi i Republikës, të martën, nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, që përfundoi në minutën e fundit të 28 prillit.
Sipas Abdixhikut, situata erdhi deri në këtë pikë meqë ish-presidenten Vjosa Osmani, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e pa vetëm si kuorum e jo si një presidente “dinjitoze”.
E siç tha ai, kjo është ajo që i dallon nga LVV.
“Dhe këtë dallim do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet. Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi!”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook. /Telegrafi/




















































