Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve disa takime me përfaqësues diplomatikë të vendeve aleate, përfshirë të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë dhe ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë.

Sot, Abdixhiku mirëpriti të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, ndërsa gjatë javës është takuar edhe me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves, ambasadorin francez Olivier Guérot dhe ka zhvilluar një drekë pune me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph.


Abdixhiku tha se në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, sfidat me të cilat po përballet vendi dhe pozicionet e LDK-së përballë tyre.

“Diskutuam për sfidat me të cilat po përballet Kosova, zhvillimet politike dhe qëndrimet e LDK-së ndaj tyre”, theksoi ai.

Ai shtoi se një vëmendje e veçantë iu kushtua Zgjedhjeve Nacionale të 28 dhjetorit dhe vizionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas këtyre zgjedhjeve.

“Theksova përkushtimin e LDK-së për të garantuar stabilitet institucional dhe për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik të vendit”, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së nënvizoi se lista zgjedhore e partisë përfaqëson njerëz me integritet dhe përvojë.

“Lista e LDK-së përfaqëson profesionistë të dëshmuar, njerëz të përkushtuar e punëtorë të palodhur, të cilët mbi gjithçka e duan Kosovën dhe punojnë me zemër për të”, tha ai.

Abdixhiku u shpreh mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kosovës në çdo etapë shtetformuese.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca i kanë dhënë Kosovës në çdo etapë”, tha ai.

Duke folur për orientimin e Kosovës, ai theksoi se ky partneritet mbetet i pazëvendësueshëm.

“Partneriteti ynë i qëndrueshëm me këto vende mike mbetet themelor për të ardhmen demokratike dhe orientimin euroatlantik të Republikës sonë”./Telegrafi/