Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq ka uruar Jakov Milatoviq pas publikimit të rezultateve preliminare për zgjedhjet për president të Malit të Zi.

“Përgëzoj Jakov Milatoviqin për zgjedhjen e tij si presidenti i parë evropian në historinë e Malit të Zi! Misioni u kompletua. Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur përpara. Ne do të punojmë së bashku për një shtet evropian, qytetar dhe ekologjik”, ka shkruar Abazoviq në Twitter, përcjell Telegrafi.


Urimi i Abazoviqit vjen pasi sipas rezultateve preliminare, nga të dhënat e Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI) tregojnë se kundërkandidati i presidentit të deritanishëm të Malit të Zi ka fituar shumicën e votave, në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Jakov Milatoviq ka fituar 60 për qind të votave në raport me presidentin e deritanishëm Milo Gjukanoviq që ka fituar pjesën tjetër, përkatësisht 40 për qind të votave.

Ndryshe, sot (e diel) u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale ku sipas mediave vendase, të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale patën 542.154 qytetarë.

Ndërkohë është bërë e ditur se deri në orën 20:00, kishin votuar 70.7% ose rreth 383,300 votues.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt për herë të parë që nga viti 1997, kur Momir Bulatoviq ishte kundërshtar i Gjukanoviqit. /Telegrafi/