Dilema e debate juridike ka krijuar dekreti i presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin. Vendimi i marrë vetëm një ditë pasi nisi të rrjedhë afati 60-ditor i paraparë për zgjedhjet e kreut të shtetit nga Kuvendi, nga disa prej njohësve të fushës po vlerësohet si kundërkushtetues.

Kritikët thonë se do të duhej të pritej konsumimi i plotë i afateve për zgjedhjen e presidentit të ri, para se të bëhej shpërndarja e Kuvendit. Në këtë situatë, kërkohet që Gjykata Kushtetuese të dalë sa më shpejt me interpretim.


Dekreti i shefes së shtetit për shpërndarje të Kuvendit ka krijuar paqartësi e debate juridike në opinion. Njohës të kushtetutës thonë se dekreti i presidentes Osmani është jokushtetues, pasi nuk janë konsumuar afatet për zgjedhjen e presidentit të ri.

Mazllum Baraliu, njohës i kushtetutës tha se “në qoftëse brenda 60 ditësh, prej fillimit të procedurës, prej ditës e djeshme, nuk zgjidhet presidenti, shpërbëhet ose shpërndahet kuvendi, pra via fakti automatikisht shpërndahet kuvendi dhe shkohet në zgjedhjet e reja. Kështu thotë kushtetuta. Në këtë bazë është thirr edhe dekreti i presidentes që është pa bazë juridike kushtetuese dhe do duhej sqaruar këtej për opinionin publik në një që të mos ketë paqartësi dhe të mos ketë veprime të kundërta”.

“Kushtetuta e Republikës e Kosovës i përcakton dy situata prej të cilave vendi shkon në zgjedhje në rast dështimit të zgjedhjes e presidentit, situata e parë është situata prej 60 ditësh ku duhet që vendi të shkoj në zgjedhje prej fillimit të procedurës për zgjedhjen e presidentit. Ndërsa situata e dytë është 45 ditë prej konsumimit ose prej dështimit të raundit të tretë”, thotë Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Në këtë situatë thuhet se Gjykata Kushtetuese duhet të dalë sa më shpejt me interpretim.

“Kemi një paqartësi në mes nenit 82 dhe 86 dhe kjo mund të qartësohet vetëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj që nëse Gjykata Kushtetuese eventualisht vendos për masë përkohshme sipas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, atëherë dekreti i presidentes për shpërndarje në kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve bëhet i pavlefshëm, bëhet nul”, tha Arbër Jashari, avokat.

Sipas njohësit të kushtetutës Mazllum Baraliu, shkuarja në zgjedhje duhet të evitohet për të mos e thelluar krizën.

“Të mos futemi në një krizë cila tashmë është e pranishme dhe një krizë cila është fatkeqësisht vazhdimësi e krizës vitit të kaluar. Dhe kjo nuk i lejohet as një institucioni, as një partie politike, as një deputeti”. tha ai.

Para se presidentja të nxirrte dekretin për shpërndarje të Kuvendit, kryetarja e Kuvendit njoftoi se kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e afatit që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit. /RTK