LAJMI I FUNDIT:

A po “shartohet” dokumenti Ahtisaari…!?

Kosova me flamur. Nuk dihet ende kush e çepi, as si doli laraman-shumëngjyrësh, i panjohur historikisht në këto treva. Me himn, nuk ka ndonjë ide se si mbeti i shurdhër. Sigurisht hatri i serbëve, të mos belbëzohet shqip. Nuk u jetësua as ai i "Kushtrimit", që e pat lansuar i ndjeri Dr. Rugova dhe nuk u legalizua sepse e refuzonte opozita e atëhershme e PDK-së. Kushtetuta, se a do të hartohen amendamente të reja pas bisedimeve në rang kryeministrash, mbetet të shihet, apo do të mbesin si konkluza, marrëveshje, vetëm retorike? Ndoshta nuk do të përsëritet e kaluara. 2 korriku dhe 7 shtatori, tash festohen vetëm si data, e qytetarët u patën deklaruar për pavarësi, më herët…

Nuk bëri punë Kushtetuta e Kaçanikut. Livadhet përreth Kishës Ortodokse të Deçanit iu dhuruan Kishës, me Kushtetutën e Zhablakut. Pse Parlamenti nuk ka shfuqizuar dhe hedhur poshtë akoma ligjet diskriminuese që legalizuan okupimin. Apo, vlefshmëria e tyre do t’ua zë frymën me veriun, çka pritet pra! Dhe, si mund të themi ja kjo është pavarësia, ky është shteti, apo kështu shprehen përkrahësit e devotshëm të dokumentit Aahtisaari: të dokumentit 14 pikësh të trojkës ndërkombëtare, të Traktatit të Miqësisë me Serbinë, të fusnotës 1244… apo do të presim sihariqe të reja këtë vit, që sapo e shkelëm. Por, jo ato llafe për të cilat paguhen deputetët dhe për të cilat kanë marrë votën në zgjedhjet e fundit.


Askush nuk konteston faktin se Kosova u nda nga Serbia. Nuk kontestohet asnjë nga faktet që janë të depozituara në dokumentin e Ahtisaarit, por është shumë e pakuptueshme që mos të dëgjohen zërat tjerë që mendojnë ndryshe dhe ata të konsiderohen si "armiq të brendshëm". Fundja, pse mos të pranohet institucioni i referendumit dhe i vetëvendosjes si mekanizëm mbrojtës konstitucional. Këto duhet të jenë tema të hapura edhe të debatit të partive politike, apo jo?

Duhet të shprehen haptas parlamentarët për këto tema të nxehta. Nuk duhet të lejohet edhe më që shoqëria kosovare të jetë "hermetikisht" e mbyllur, ngase secili ka të drejtë të mendojë dhe të shprehë mendimin: Pra, duhet t’u jepet hapësirë mediale edhe atyre që janë kundër vendimeve politike që vijnë nga jashtë. Le të dëgjohen argumente tjera…

Pse shprehet një nervozë e pamatur tek ata që shohin bardhezi dhe ua imponojnë mendimin të tjerëve. Nuk di me çfarë kandari matin njerëzit mendimet dhe sigurisht më me dëshirë ua vënë debatuesve shenjat dalluese "na dhe ata" (secila parti që garon veç e veç).

Një kohë debatuesit ndaheshin në "majtist" e "djathtist, por edhe të "qendrës". Retorika ndryshoi shpejt. Tash u hoqën maskat dhe reflektori ndriçon fytyrat e njerëzve. Nuk mund të fshiheshin më pas paravanit që hapet dhe mbyllet me takt. Dhe, si ndodhi që demokratët të sulmojnë "on air" njëri-tjetrin? E pashpjegueshme: ata që hiqeshin si të matur ndërruan, nga brendia e tyre shpërtheu mllefi i sharjeve kundër kolegëve të deridjeshëm. Çka i shtyri pëllumbat e bardhë të paqes multietnike të krokasin si korbat e zi të fatkeqësisë nacionale? Nuk ngjan që pëllumbi të konvertohet në korb. Ndoshta pranohet ky konstatim, apo jo?

Askush nuk parapëlqen teatrin të shndërrohet në arenë gladiatorësh. Debatuesit do të thonë e kaluar dhe nuk është koha e debateve të tilla se ato janë stereotipe, kemi punë më të mençura, duhet të atakohen skeptikët e bisedimeve politike Thaçi-Daçiq, dhe të kaq shumë dokumenteve të servuara si teknike… Dhe pyetja "jeni me ne apo me ata" pengon debatin. Ndonjë fjalë e thënë, e argumentuar kundër dokumentit të Ahtisaarit, më heret ua ngrinte temperaturën debatueseve, duke pretenduar t’i shohin ata se si dridhen nga ethet "demokratike".

Tash që po e "shartojnë" edhe dokumentin Aahtisaari, nuk lodhen aq shumë, ngase sipas agjendës janë imponuar e lansuar zgjidhje tjera si prioritet. Por, edhe tash, bile shumë më fuqishëm duhet të deklarohen të pakënaqurit për këto rrjedha, e jo për ndërtesa të bukura. Shpejt po harrohet se sa domethënëse do të jenë këto bisedime për të ardhmen funksionale të shtetit, apo ato varen nga "rrobaqepësitë" e hartës së Kosovës. Nuk harrohet aq shpejt vrapimi aq i zhurmshëm i përkrahësve të dokumentit "profetik" që "nuk kishte" të meta dhe çdo pikë dhe presje ishte atraktiv dhe shumë domethënëse, ngaqë kompromisi ndaj kërkesave serbe ishte integriteti territorial, i cili tash fare pak përmendet.

Nëse u përmbahen fjalëve që kanë thënë më herët, se nuk do të ketë kompromis me Serbinë, nuk do të ketë bisedime etj. Ne u besonim fjalëve të tyre, por ata demantuan veten. Fjalët mbetën të shënuara, ato nuk u avulluan, edhe pse për momentin mund të harrohen.

Mirë, ne që "nuk" kuptojmë ç’është marrëveshja dhe ç’është Kushtetuta, mund të konsultojmë literaturën dhe do të kuptojmë se akti më i lartë juridik i shtetit është Kushtetuta. Pajtohemi apo j? Sigurisht që po. Dhe, shteti pa flamur nuk bënë.

Kosova kishte Kushtetutë kur ishte krahinë e ish federalizmit jugosllav, kishte edhe flamurin që valonte në ndërtesat shtetërore pas vitit 1974. Valonte flamuri shqiptar me yll. Të njëjtin e kishte shteti zyrtar i Republikës së Shqipërisë. Vllasi të njëjtit flamur ia shtojë një yll më të madh: ishte flamuri i Kosovës, i cili u hodh poshtë në demonstrata masive nga shumica që janë sot në Parlament. D.m.th. Kosova kishte flamurin shqiptar dhe flamuj të tjerë, kishte edhe kushtetutën, por nuk ishte republikë-shtet. Dhe, cili ishte ataku i parë i Serbisë: ishte Kushtetuta, ndryshimi i amendamenteve kushtetuese. Shumë aktivistë të deridjeshëm që mbronin tezën se amendamentet duhet të ndryshohen, mbajnë edhe sot pozita. Por, edhe shumë nga ata janë edhe njerëz që u rrahën, u burgosën, kishte edhe të vrarë, dhe të gjithë ata që kuptuan se ndryshimi i amendamenteve ishte rikolonizim i Kosovës, u përbuzën.

Sot, kujtesa dhe skepticizmi na mbajnë në ethe, na rikujton programin jugosllav të rikthimit të serbëve dhe malazezëve në Kosovë (tash vetëm serbëve). Nuk janë këto kohë të largëta dhe mbamendja nuk tradhton. Mundeni të riktheheni dhe të kërkoni në kompjuterët tuaj ngjarje nga ajo kohë. Dhe, nuk është ndonjë ndryshim i theksuar i programit të atëhershëm të kthimit të serbëve në Kosovë me të sotmin në komunat me shumicë serbe.

Nuk e konteston askush detyrën e pushtetarëve që të zgjedhin kontestet me pronat, jo vetëm në raport me serbët, por duke zbatuar ligjin për të gjithë qytetarët. Por kush do ta bëjë këtë? Nuk mundet Qeveria e Kosovës assesi, ngase ajo nuk ka kapacitete të mjaftueshme, por as autoritet. Do ta bëjnë këtë kryetarët e enklavave serbe – tash komuna me autorizime të veçanta.

Nuk ka mëdyshje se Kosova po ndahet në dy entitete dhe enklavat serbe po marrin primesat e autonomisë së zgjeruar. Kosova nuk ka fe zyrtare, por kisha serbe ka fituar atribute të pushtetit real, të drejtën e qeverisjes dhe financimit me pronën, e shkëputur nga Kosova institucionalisht, pa kurrfarë lidhjesh institucionale. Shumë shpejt është harruar historia. Le të konsultohet pak literatura dhe do të kuptohet se shtetin serb e ka ngritur kisha serbe. Nga aty edhe buron shtetësia serbe. Duhet të kuptojnë këtë edhe parlamentarët, por edhe kujdestarët e pavarësisë që po lëkundet, sepse shteti ka formë dhe forma zyrtarizon shtetin.

Mirë pra, si do të betonohet pavarësia? A duhet të shënohet në tekstin e preambulës (pjesës hyrëse) të Kushtetutës? Kush është shumica e kush pakica në përbërjen e shtetit, apo duhet të lihet si deri tash: qytetarët e Kosovës?

Ofertën e delegacionit shqiptar të shekullit XXI. "Traktati i miqësisë" me Serbinë, ashtu siç e kishte deklaruar GU i Kosovës ( koordinator i të cilit atëherë, por edhe tash është Blerim Shala), e ripërsëriti disa herë zëvendëskryeministri Kuçi. Koncept ky shumë kozmopolit, por e refuzoi definitivisht pala serbe.

Serbët po betonojnë gjithnjë e më tepër autonominë, derisa të arrijnë maksimumin e mundshëm nga këto bisedime, duke lënë të hapura shumë çështje statusore për të penguar funksionalitetin institucional të Kosovës në të ardhmen.

Sovraniteti i popullit (qytetarëve) dhe vetëvendosja e popullit (qytetarëve), janë dy opsione për të cilat duhet të vendosin qytetarët, eventualisht me referendum, nëse ngjarjet në të ardhmen marrin tatëpjetën. Kjo do të ishte njëra nga zgjidhjet.