A ka ardhur momenti që të provohet Pacolli?
Nga partitë e tanishme parlamentare janë provuar që të gjithë, LDK-ja në të dyja pushtetet, PDK-ja gjithashtu, ashtu si edhe AAK-ja. Qytetarët tashmë e kanë të qartë se çfarë kanë arritur nga qeverisjet e deritanishme. Prandaj, tani është momenti që të provohet edhe Pacolli, i cili ka deklaruar shpesh se po t'i jepej mundësia, do të synonte të bëhej shembull i veçantë
Fushatës zgjedhore i vjen fundi, ndërsa votuesi tashmë ka një pasqyrë të qartë se për kë duhet të votojë. Kjo fushatës është përqendruar kryesisht në dy rrafshe: në atë ndërmjet zënkave të dy kandidatëve të partive qeveritare të cilët kanë udhëhequr një fushatë negative dhe, ofertën e Vegim Gashit të AKR-së.
Dy kandidatët e partive qeveritare janë përqendruar në akuza të ndërsjella, ndërsa qytetari shpesh ka mbetur në dilemë se cila është oferta serioze dhe praktike e tyre. Pa u pozicionuar në parti, por duke parë thjesht në syrin e qytetarit, mund të thuhet se votuesi dhjetë vitet e fundit ka parë një Prishtinë të rrënuar gjithnjë e më shumë në sferën e punëve dhe shërbimeve publike si dhe në pamjen e përgjithshme të qytetit. Infrastruktura rrugore, ajo e ngrohjes, pamja e qytetit, vetëm një kryeqyteti evropian nuk i ngjan.
Përkundër premtimeve se është bërë diçka, megjithatë qytetarët shohin se sot të ecësh me makinë nëpër Prishtinë të del më shtrenjtë, më gjatë dhe më lodhshëm sesa të ecësh më këmbë. Por, të ecësh më këmbë, rrugët e papastra dhe mungesa e trotuareve të krijojnë përshtypjen e një qyteti vërtet që i është ndalë hovi i zhvillimit dhe modernizimit disa dekada më parë.
Mbindërtimet që kanë marrë hov gjatë pasluftës jo vetëm që nuk janë ndërprerë edhe përkundër premtimeve të çdo kryetari të deritanishëm të Prishtinës, por madje shumë prej tyre janë legalizuar duke rrezikuar kështu jo vetëm ndërtimet kolektive shumëkatëshe, por edhe jetën e kryeqytetasve.
Janë dhënë shumë leje ndërtesash të cilat pengojnë dhe ia zënë frymën jo vetëm njëra- tjetrës, por kanë krijuar një imazh mjaft të keq dhe kanë vështirësuar jetën e banorëve në këto ndërtesa. Nuk ka mbetur më hapësirë e ndërmjetme mes ndërtesave dhe ato pak hapësira që kishin mundur të bëhen gjelbërime apo për argëtimin e fëmijëve, tashmë i ka mbuluar betoni i ndërtimit. Ky kaos urbanistik u shtua edhe këto dy vitet e fundit, ndërsa kryeqytetasit janë dëshmitarë më të besueshëm për këtë. Gjithashtu shumë ndërtime të tjera janë lënë të mbijnë si kërpudhat pas shiut, duke ngushtuar rrugët të cilat tashmë është vështirë të thuhet si i ngjajnë një kryeqyteti.
Por, rreziku më i madh është vazhdimi i këtij avazi. Me mentalitetin e qeverisur deri më tani, qytetarët rrezikojnë që të kenë një kryeqytet edhe më kaotik nëse vërtet nuk shprehen për ndryshime. Sa për fushatën se janë ndërtuar kaq e aq rrugë, këtë më së miri e gjykojnë kryeqytetasit të cilët detyrohen të përballen për çdo ditë me ngushtimin e hapësirës së jetesës.
Kandidati tjetër qeveritar me të drejtë ka vënë në pah mossukseset e kundërkandidatit të tij dhe kryetarit të deritanishëm, por duket se ai është zgjatur si shumë vetëm në nxjerrjen e negativiteteve dhe është vërejtur një mungesë konkrete e ofertës së tij, vizionit, por para së gjithash, e çështjeve praktike dhe të prekshme për qytetarët. Punët e Prishtinës janë kryesisht probleme konkrete, e jo teorizime filozofike, ndërsa qytetari ka nevojë për plane konkrete se si të dilet nga gjendja e deritanishme.
Sidoqoftë, qytetarët kanë provuar qeverisjen e dy partive qeveritare, në nivel lokal dhe atë qendror dhe tashmë kanë një pasqyrë të qartë dhe pritshmëri të parashikuar, pa ndryshime të dukshme.
E thënë sinqerisht, gjendja jo se nuk ka ndryshuar për të mirë përkundrejt premtimeve të mëdha edhe deri më tani, por realizimet kanë dëshmuar nivelin të cilin ne të gjithë tashmë e dimë shumë mirë.
Por, t'i kthehemi pritshmërisë. Deri më tani kemi pritshmëri të paprovuar vetëm nga AKR-ja e Pacollit. Ky i fundit vazhdimisht ka thënë se ende nuk i është dhënë mundësia për ta provuar veten dhe gara për kryeqytet është një garë ndërmjet ndryshimeve dhe status-quos.
Kandidati nga kjo parti, Vegim Gashi, njihet si biznesmen dhe menaxher i dëshmuar. Siç është shkruar këto ditë, ajo që votuesi do të duhej të kishte parasysh para se të votonte, është fakti se me decentralizimin e pushtetit dhe me marrjen e kompetencave të mëdha nga komunat, përgjegjësitë e pushtetit lokal do të jetë shumë më të mëdha. Arsimi, kujdesi shëndetësor, përkujdesja sociale, sporti etj janë sferat të cilat në të ardhmen do t'i takojnë komunave.
Për këtë arsye komuna do të duhet të ketë një buxhet më të madh, ndërsa menaxhimi me paranë publike dhe ndarja e rishpërndarja e tyre kërkon një menaxher të suksesshëm. Në këtë drejtim, Vegim Gashi është më i privilegjuari që në start, duke pasur parasysh faktin se jo vetëm që ka drejtuar një biznes të suksesshëm, por madje është treguar mjaft i gjindshëm në kuadrin e një afarizmi të cilin grupet e interesit pushtetar nuk lejojnë lulëzimin e menaxherëve të suksesshëm. Megjithatë, Gashi ia ka dalë edhe duke mos qenë pjesë e pushtetit.
Meqë Prishtina tubon numrin më të madh të papunëve në Kosovë, ndërsa të gjitha anketat kanë treguar se papunësia është problemi më i madhe i qytetarëve, në kohën kur komunat do të kenë kompetenca të rëndësishme në këtë drejtim, ka pasur një ide mjaft origjinale dhe të qëlluar për këtë problem të madh shoqëror dhe për të rinjtë e kryeqytetit. Gashi ka lansuar idenë e një konference ndërkombëtare në të cilën do të kërkoheshin fonde për papunësinë. Duke pasur parasysh dy elemente shumë të rëndësishëm, mua personalisht më duket mjaft joshës ky kandidat për këto dy arsye:
E para, Pacolli ka treguar suksese në lobimin për njohjen e Kosovës duke shkuar në vende të ndryshme të botës duke siguruar njohje, në të cilat vende madje institucionet e vendit as që kanë mundur të venë kontakte. Kjo dëshmon edhe një herë se ai ka miqësi të gjerë në botë të cilat, në rast të një fitoreje të Gashit, do të mundohej të jepte maksimumin për një kryeqytet ndryshe jo vetëm duke siguruar fonde të ndryshme zhvillimi dhe luftimit të varfërisë.
E dyta, nëse Pacolli do ta fiton kryeqytetin, ai do ta ketë rastin dhe mundësinë që të provohej dhe t'i realizonte premtimet se "nëse me jepet mundësia, do të bëj ndryshime të mëdha pozitive dhe komunat që do t'i drejtojë AKR-ja të jenë shembull në Kosovë".
Për këto arsye shpreh bindjen se mbase ka ardhur koha të provohet Pacolli. Është i vetmi që nuk është provuar deri më tani. Nga partitë e tanishme parlamentare janë provuar që të gjithë, LDK-ja në të dyja pushtetet, PDK-ja gjithashtu, ashtu si edhe AAK-ja. Qytetarët tani dinë se si u ka vajtur fati me partitë e provuara. Prandaj, në këto zgjedhje është rasti i mirë që të provohet Pacolli, i cili, fundi i fundit, nuk kërkon për partiakët e tij ndonjë rrogë siç kërkojnë madje të gjithë krerët e tjerë partiakë të cilët zhvillojnë luftë politike për mirëqenien e tyre.
Sfera publike të cilën e synon ai, është fare e pabesueshme se e dëshiron për të siguruar të ardhura më të larta, aq më shumë nga qytetarët më të varfër të kontinentit. Prandaj, është momenti që të provohet miliarderi shqiptar, një pushtet i ri kryeqytetas për ta bërë Prishtinën më ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim deri më tani.
Fundja, këtë do të duhej ta mbështesnin edhe kundërshtarët, sepse të vësh dikë në sprovë në pushtetin lokal, është kosto shumë më e favorshme për ata që e kundërshtojnë.
Sigurisht që të japësh shembullin e veçantë për kryeqytetin e dërmuar deri në këtë masë është një detyrë vërtet e vështirë, por tani vërtet ia vlen të provohet i paprovuari dhe i dëshmuari se ka ditur të bëjë punë të lavdërueshme nëpër vendet e huaja. Le t'i jepet mundësia që këtë ta dëshmojë edhe në vendin e tij.
(Autori është profesor i Frëngjishtes)



































