A do të përmbyset rezultati? Gara në Viti e hapur me vetëm 197 vota diferencë, pa përfshirë votat me postë

Nga 18 komunat që shkuan në balotazh nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, i mbajtur më 12 tetor, 17 prej kandidatëve për kryetarë kanë fituar garën.
Megjithatë, gara mbetet e hapur në Komunën e Vitisë, ku dallimi mes dy kandidatëve është vetëm 197 vota, raporton Telegrafi.
Ndonëse Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka shpallur fitoren, pasi ka marrë 50.60 për qind ose 8,352 vota, ende nuk është e sigurt nëse do ta udhëheqë komunën për katër vitet e ardhshme.
Kundërkandidati i tij, Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka marrë 8,155 vota, që përkthehet në 49.40 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet preliminare, mirëpo procesi i numërimit të votave me postë, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta është ende në zhvillim.
Në bazë të raundit të parë, Haliti kishte marrë 562 vota me postë, ndërsa Ademi kishte siguruar 440 vota.
Nga personat me nevoja të veçanta, kandidati i LDK-së kishte marrë 25 vota, ndërsa kandidati i LVV-së 12 vota.
Në kategorinë e votave me kusht, të dy kandidatët kishin marrë nga tri vota secili.

Kështu, gara në Viti vazhdon të jetë e hapur, ndërsa pritet që gjatë ditës KQZ të përfundojë numërimin e të gjitha votave të mbetura. /Telegrafi/


















































