LAJMI I FUNDIT:

A burgoset (pa)fajësia ?

A burgoset (pa)fajësia ?

Komandantët kanë ulur kokën dhe me bindje se sërish po sakrifikohen për Kosovën: kanë pranuar ftesat për në Hagë. Kokat e tyre, politike dhe ekonomike, po i shërbehen në sini të artë lobit serb në Evropë. Pas kësaj, sipas politikës evropiane, pritet bashkëpunimi i Serbisë. Serbia do të duhej, sipas tyre, të pranonte të pajtohej me ne dhe të na falte…! Edhe të na njoh. Politika jonë tashmë e ka falur Serbinë; nuk ka problem me ne Evropa.

Haga, përpos Tribunalit për Krime Lufte në ish Jugosllavi dhe Dhomave të Specializuara të Gjyqësisë Kosovare, së fundmi është bërë e njohur edhe për qëndrimin negativ, pengues në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët. Shumë nga familjarët e viktimave kosovare nuk do të mund të shkojnë të protestojnë paqësisht para gjykatës.


Holanda ka edhe qytete të tjera të famshme, si Amsterdami për shembull, ku shumëçka është më liberale se në pjesën tjetër të Evropës, ku shumë kosovarë shkojnë me qejf, por kundërshtimi i Hagës zyrtare nuk ka të bëjë me mundësinë apo rrezikun që kosovarët të vërshojnë Amsterdamin, por duket se krejt kjo ka të bëjë me diçka “speciale” – me gjykatat speciale.

Vetë Haga, muajt e ardhshëm, e mbase edhe vitet, si duket do të jetë kryeqyteti politik i Kosovës. Personalitete të rëndësishme dhe me shumë ndikim, të skenës politike e shoqërore, sipas paralajmërimeve jozyrtare do të jenë vizitorë, e disa me shumë gjasë edhe banorë të përkohshëm të këtij (krye)qyteti.

Shumica e qytetarëve të Kosovës e kishte pranuar këtë gjykatë si të domosdoshme dhe si mekanizëm të vetëm formal e paqësor për demilitarizimin e skenës politike dhe shoqërisë në Kosovë, pasi ish-komandantët kishin krijuar ndikim vendimtarë në politikë, ekonomi dhe në jetën shoqërore në përgjithësi.

Tash, kur komandantët kanë pranuar ftesat, disa nga zyrtarët në shoqatën e veteranëve, e kanë filluar një rebelim të hapur dhe kanë paralajmëruar një lëvizje anti-Hagë pikërisht nëpër ato media të cilat dikur ishin mekanizma të disa politikanëve të lartë për me e kalu në Parlament ligjin për Gjykatën Speciale.

Sipas fjalëve të këtyre zyrtarëve të veteranëve, presidenti dhe disa të tjerë të cilët dikur u bënin presion deputetëve për ta votuar gjykatën, tash janë penduar që kanë sjellë këtë ligj, edhe pse sipas paralajmërimeve, emri i presidentit – edhe pse ishte përfolur – nuk ndodhet në listën e të ftuarve për intervistë në Hagë.

Argumenti i tyre, pra i “rebelëve”, përfshirë këtu edhe refuzimet e para për t’u paraqitur në intervistë, por edhe e një pjese të madhe të qytetarëve, është pikërisht karakteri njëetnik i gjykatës, dhe kjo vërtetë jo vetëm qytetarët, por edhe çdo jurist e vë në dilema serioze morale dhe politike.

Formimi i një gjykate “kosovare”, vetëm për krimet e supozuara të një ushtrie, dhe mbyllja e syve ose trajtimi dytësorë i shumicës së krimeve të luftës në Kosovë, të kryera ndaj shqiptarëve, përpos që lë shijen e keqe të diskriminimit, vë në dyshim edhe drejtësinë evropiane dhe politikën evropiane në Kosovë dhe drejt Kosovës. Askund në botë nuk do të pranohej një formulim i tillë, përpos në një koloni.

Edhe amnistia e krimeve, dhe kriminelëve serbë, që është përfolur se është një nga pikat (kushtet) e bisedimeve në dialogun e fshehtë Kosovë-Serbi, hapin dyshime dhe dilema tejet serioze për qëllimet e mira të disa vendeve evropiane, me ndikim.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo gjykatë është produkt politik. Ajo ka ardhur si presion i lobit pro-serb dhe pro-rus në Parlamentin e Evropës, dhe më vonë edhe nëpër mekanizma të tjerë evropian, të presionit, për të krijuar një baraspeshë në fushën e krimeve të luftës, dhe për të qetësuar Rusinë, dhe nxitur për bashkëpunim Serbinë, e cila ende pa kërkuar as falje për gjenocidin në Kosovë, ka filluar të luajë rolin e viktimës në përmasa ndërkombëtare, duke e aktivizuar tërë arsenalin e njohur nga agjitacioni dhe propaganda e viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar e cila përgjaku Ballkanin, e veçanërisht Kosovën dhe Bosnjën.

Fetishizimi i kasapit të Ballkanit, Millosheviqit, nga ana e presidentit serb në fjalimin e tij “historik” në Mitrovicë, muaj më parë, kishte pikërisht këtë kuptim dhe qëllim, pra të vejë në pah “qëllimet e mira” të Millosheviqit dhe patriotizmin e tij, përkundrejt pashkathtësisë së tij, paaftësisë së tij për të bindur fuqitë e kohës, se Serbia kishte të drejtë mbi Kosovën, çka z. Vuçiq, falë partneritetit “publiko-privat” me presidentin e Kosovës, po e arrin shumë më suksesshëm ta bëjë, duke mbyllur dyert e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe së fundmi edhe ato të Evropës për qytetarët e Kosovës ( liberalizimi).

Mjaftë prej këtyre komandantëve me vite i kanë zvarritur nëpër gjykata vendore dhe nëpër instancat e gjyqësisë kosovare, ku herë janë dënuar e herë janë liruar si të pafajshëm për vepra të cilat në kohë lufte për shumicën e vendeve të njohura për drejtësi, janë akte ordinere. Po të ishin gjykuar ata, për veprime të pasluftës, me siguri do të kishte një përkrahje të madhe qytetare, por gjykimet për “krime lufte” e kanë shpërfaq karakterin politik të gjykatave në vend, çka edhe solli te “gjykatat speciale”

Pa dyshim, çdo i dyshuar është i pafajshëm derisa të ketë një aktgjykim të formës së prerë, derisa të harxhohen të gjitha mjetet ligjore të ankesës. Madje, moralisht, mund të jetë i pafajshëm edhe pas kësaj, por të burgosësh çlirimtarët, në një proces njëetnik, është një njollë që do të mbetet përgjithmonë në historinë e gjyqësisë (dhe politikës) kosovare dhe asaj evropiane, sepse gjykatat e specializuara nuk janë vetëm të Kosovës, por janë në radhë të parë të Evropës dhe janë produkt i presionit politik të Evropës.

Paaftësia e Evropës, ose mosgatishmëria e saj për të gjykuar qindra e mijëra kriminelë lufte në Serbi, të cilët shëtisin të lirë pranë familjeve të tyre, edhe përkundër faktit që Serbia tashmë e ka gjykatën speciale për krime lufte, e bën të kuptueshme pakënaqësinë me gjyqësinë ndërkombëtare të mijëra familjeve kosovare të cilat sot e kësaj dite nuk kanë përjetuar që të dënohen dhunuesit, vrasësit e më të dashurve të tyre.

A duhet ë gjykohet për çdo krim? Pa dyshim se duhet! A mund të falen mijëra krime, vetëm për të ndodhur pajtimi dhe normalizimi mes dy vendeve? Politika nuk mund të falë në emër të gjykatës. Për çdo viktimë duhet të ketë një kryes apo një urdhërdhënës të njohur për drejtësinë, për këtë krim pavarësisht se kush është viktima dhe kush krimineli. Këto nuk mund të vjetrohen kurrë. Pikërisht, në kohën kur këto gjykime do të ndodhin në Hagë, atje ndoshta duhet të organizohen edhe ekspozita me fakte për krimet e pa gjykuara të Serbisë në Kosovë.

Menjëherë pas lufte në Kosovë këndohej kënga “A vritet pafajësia?”! Po të burgoset, a mundet?