LAJMI I FUNDIT:

Në kërkim të Trojës, me “Iliadën” në dorë

Në kërkim të Trojës, me “Iliadën” në dorë

Nga: Torsten Landberg

Përkundër pozicionimit të saj gjeografik në Azinë e Vogël, Troja shënon fillimin e historisë evropiane, thotë profesori Ernst Baltrusch, nga Universiteti FU në Berlin: “’liada’ e Homerit kishte një rëndësi të madhe në kohërat antike dhe entuziazmi i antikitetit u transmetua përmes grekëve dhe romakëve deri në ditët e sotme.”

I mrekulluar prej Trojës, që në moshën e fëmijërisë ishte edhe Heinrich Schliemann. Për 40 vjet me radhe ai qe i bindur se qyteti antik nuk mund të ishte zhdukur tërësisht. Më 9 prill 1870 i nisi gërmimet për zbulimin e rrënojave të qytetit.


Për aventurierin Schlimann, bota antike ishte ëndrra e tij e jetës. Por, karriera e tij nisi një drejtim tjetër. Lindi në familjen e një pastori në Ostmeklenburg dhe kishte tetë vëllezër e motra. Për shkak të mungesës së mjeteve financiare, u detyrua ta ndërpresë gjimnazin. Shkoi në Amsterdam për të punuar si një shoqëri tregtare. Dhuntia për të mësuar gjuhë të huaja i erdhi në ndihmë dhe brenda vitit mësoi holandisht, spanjisht, italisht, portugalisht e pastaj rusisht.

Aftësitë e tij gjuhësore ai i përdori me shkathtësi, dhe nga Amsterdami shkoi në Rusi ku u bë i pasur me tregti lëndësh të para për armë e municione. Më pas shkoi në Paris për të mësuar latinishten dhe greqishten e vjetër. Një kuadër të një ekskursioni studimor, shkoi në vitin 1868 në Itakë, ku nisi gërmimet në kërkim të pallatit të Odisesë. Prej atje e vazhdoi udhëtimin për në Detin e Marmarasë.

Schliemanni ishte një përzierje mes ëndërrimtarit dhe gjeniut. Ëndërrimtar sepse udhëtimin e tij në kërkim të Trojës e nisi nëpër Turqi vetëm me “Iliadën” e Homerit në dorë. Gjeni sepse ai shpiku në fund të shekullit të XIX metoda kërkimi që përdoren edhe sot.

Megjithatë, gjermanët për një kohë të gjatë nuk i vlerësuan arritjet e tij. Madje, edhe sot konsiderohet më tepër si aventurier e jo si arkeolog. Nga njëra anë sepse nuk e kishte problem t’i plotësonte të dhënat që gjente me shpikje që i krijonte nga mendja e vet dhe nga ana tjetër sepse nuk i respektoi standardet e atëhershme të arkeologjisë, thotë Baltrusch.

Konkurrenti i Schliemannit, korifeu i arkeologjisë, Ernst Curtius, nuk kishte kurrfarë respekti për të. Shumë studiues e kritikojnë Schliemannin se ai i linte punëtorët të gërmonin llogore të thella dhe se kështu janë shkatërruar përfundimisht gjurmë të rëndësishme të ngulimit antik të Trojës.

Por, Schliemanni u prit mirë në Angli, ku eksploratori i lindur më 6 janar 1822, konsiderohet si zbuluesi i Trojës misterioze.

Kërkimet për Trojën kanë vazhduar për shekuj. Por, askush nuk ka arritur të dëshmojë nëse eposi i Homerit përmbante ndonjë të vërtetë lidhur me Luftën e Trojës. “Ato që ka shkruar Homeri, dhe që Schliemanni i mori si bazë për zbulimet e tij arkeologjike, janë edhe sot e kësaj dite të diskutueshme”, thotë Baltrusch. “Ne nuk e dimë nëse kjo luftë ka ndodhur me të vërtetë”.

Ajo që e bëri Schliemannin të rëndësishëm ishte se ai mësoi greqishten e lashtë për të lexuar “Iliadën” dhe mbi bazën e këtij libri u nis për të gjetur vendet që përshkruan Homeri. Schliemanni vetë e konsideronte Luftën e Trojës si të vërtetë.

Në vitin 1871, Schliemanni, asokohe 49-vjeçar, hasi nën kodrën Hisarlik në Troas, në veriperëndim të Turqisë së sotme, në mbetjet e supozuara të qytetit të Trojës. Nuk ishte i pari që supozoi se qyteti i përshkruar nga Homeri gjendej pikërisht në atë vend. Para tij në atë zonë kishte kryer gërmime britaniku Frank Calvert. Ai madje edhe e kishte blerë tokën përreth kodrës Hisarlik, por nuk kishte para për të vazhduar gërmimet.

Calverti dhe Schlimmani u takuan rastësisht. Historia e gjatë e këtij ngulimi, që daton rreth vitit 3000 p.e.s. e deri në Mesjetë, e bëri në fillim të vështirë identifikimin e gjetjeve arkeologjike. Calvert e çoi Schliemannin që të vazhdonte gërmimet aty ku ai i kishte ndërprerë. Në fillim gjeti enë që nuk përputheshin me përshkrimet e Homerit. Më pas vazhdoi gërmimet duke nxjerrë në dritë mbetjet disa metra të larta të rrënojave të qytetit parahistorik të shkatërruar. Dhe, në vitin 1872, me asistentin e tij Wilhelm Dörpfeld ishin të sigurt se muret e trasha që kishin gërmuar, ishin pjesë e fortifikimeve të Trojës.

Një nga gjetjet e tij më të rëndësishme ishte ajo e vitit 1873, “thesari i artë i Priamit”, siç e pagëzoi Schliemann. Ai e kontrabandoi jashtë vendit dhe ua dha gjermanëve. Në trazirat e Luftës së Dytë Botërore, thesari përfundoi në Rusi dhe për vite të tëra konsiderohej si i zhdukur. Sot ruhet në Muzeun Pushkin në Moskë.

Fatkeqësisht, Schliemann ishte gabim me supozimin e tij. Thesari i artë që gjeti nuk ishte i Priamit, por i takonte një kulture të lartë të panjohur, e cila është rreth 1250 vjet më e vjetër se Troja. Edhe në Mikenë, ku Schliemanni kreu gërmime nga viti 1874 deri më 1876, bëri sërish një gabimin në interpretimin e një maske ari. Maska që ai gjeti aty nuk i përkiste komandantit mikenas, Agamemnonit. Sidoqoftë, brezat pasardhës ia kanë falur atij gabimet.

Heinrich Schliemann vdiq në Napoli më 26 dhjetor 1890 dhe nderohet sot në mbarë botën.

“Pavarësisht nga metodat e tij arkeologjike emri i Schliemannit është i lidhur përgjithmonë me emrin e Trojës”, thotë historiani Baltrusch. “Për shkak të gërmimeve të tij për Trojën ai është sigurisht arkeologu më i njohur në botë”. /DW/