LAJMI I FUNDIT:

“Sa u gëzuem për njohjen e Shqipnisë, kur e muer vesh se Kosova, ma se gjysma e Shqipnisë u çkëput nga gjiu i mamës së vet e ngeli nën thundrën e armikut, të gjithë fort u helmuem”

“Sa u gëzuem për njohjen e Shqipnisë, kur e muer vesh se Kosova, ma se gjysma e Shqipnisë u çkëput nga gjiu i mamës së vet e ngeli nën thundrën e armikut, të gjithë fort u helmuem”

Tafil Boletini

Tue qenë se situata politike nuk premtonte vonesë, po edhe vajtja jonë natën s’kishte mundësi, si nga lodhja e sidomos sepse nga shinat e asaj vjeshte fushat ishin të mbulueme me ujë e baltë të madhe, aherë delegatët e Kosovës: Isa Boletini, Zejnel beg Begolli, Mehmet pashë Dërralla, Riza beg Gjakova, Dervish beg Mitrovica, Hasan Hysejni i Budakovës e Ajdin Draga, të gjithë, me një fjalë, autorizuen Ismail Qemalin me ngreh flamurin e me deklarue independencën e Shqipnisë zyrtarisht nesër më 28 Nëntor 1912… Me 28 herët u nisëm për në Vlorë.

Nuk më harrohet ai udhëtim, nëpër fusha e hendeqe të mbulueme me ujë e baltë, sa edhe ajo rruga e keqe nuk dallohesh, kur disa shokë me gjithë kuaj fluturim rrokulliseshin nëpër hendeqe e disa shanin e disa qeshnin. Lumin e Vjosës në Mifole e kaluem po ashtu me një lundër të vogël dhe me ato mundime e me vonesë sikurse lumin e Semanit në Mbrostar të Fierit… Populli i Vlorës e delegatë të viseve të ndryshe, me flamurë, na kishin dalë para në Nartë.


Në sheshin e flamurit, para shpisë së Hasan Sharrës ku banonte Ismail Qemali, krejt populli e delegatët na pritën me flamurë në dorë. Fjalimin e mirëseardhjes së delegatëve të Kosovës e mbajti Kristo Meksi. Mbas fjalimeve të tjera të rastit, delegatët u përqafuen me Ismail Qemalin dhe e uruen me lavdata për përpjekjet e palodhuna e sakrificat e mëdhaja që kish ba ai pa nda deri sa ia arriti qëllimit.

Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës. Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën… Meqenëse në fillim nuk kishte kurrfarë force të organizueme, njerëzit tanë rreth e rrotull banimit të tij banin rojën e natës dhe mbanin qetësinë. Po edhe mbasi u formue nji gjindarmëri, prapëseprapë, besimin e kishte tek neve… Me nji fjalë, opinioni në Vlorë gjithnji ka qenë i çqetësuem nga ndonji sulm grek, por as ushtrisë turke s’i besohesh.

Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”. Kah gjysma e dhjetorit erdhi telegrami ku në princip u vendos njohja e nji Shqipnie. Nga gëzimi i këtij sihariqi të madh plasi pushka. Ishte natë. U zdritë prej flakëve të pushkëve.

Na shpinë e kishim në krye të Vlorës. Pandehëm se na ranë grekët. Vrapuem te Ismail Qemali dhe te axha Isa që ishin në shpi të Hasan Sharrës në fund… Por kur muerëm vesh se u njoh Shqipnia, edhe na ia dhamë nji batare. Unë hina te Ismail Qemali dhe e urova tue ia puth dorën… Dhe, nga gëzimi, edhe balli i qeshte… Sa u gëzuem për njohjen e Shqipnisë, kur e muer vesh se Kosova, ma se gjysma e Shqipnisë, u çkëput nga gjiu i mamës së vet e ngeli nën thundrën e armikut, të gjithë fort u helmuem.

Në trend Kultura

Më shumë
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

Fjala+
Traditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare

Traditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare

Kulture
Histori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur

Histori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur

Kulture
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Kulture
Poligloti Petro Zheji

Poligloti Petro Zheji

KOSOVË

KOSOVË

Poezi
Kalo në kategori