LAJMI I FUNDIT:

Hera e parë në Stamboll: Çfarë të vizitoni, çfarë të shmangni e ku të qëndroni (Foto)

Hera e parë në Stamboll: Çfarë të vizitoni, çfarë të shmangni e ku të qëndroni (Foto)

Stambolli është destinacion i ëndrrave. Gjendet në breg të Evropës ku lindja takohet me perëndimin. Është qytet që i lidhë dy kontinente, ndërsa nën vete fsheh histori, kulturë, ngjyra dhe aroma të ndryshme.

Arkitektura, ushqimi dhe çdo gjë tjetër në Stamboll tregon nga një histori të veçantë, transmeton Telegrafi.

Qyteti është i zënë, i shpejtë, asnjëherë nuk ndalet, por kur ndonjëherë keni nevojë për një pushim nga kjo jetë aktive, gjithmonë do ta gjeni një kopsht, shtëpi apo xhami ku mund të uleni, të merrni frymë dhe të relaksoheni.


Shumica e njerëzve besojnë se Turqia nuk është shtet i sigurt për shkak të religjionit islam dhe kulturës që kanë. Por, e vërteta është se kur i lini paragjykimet anash, do të mahniteni nga bukura e Turqisë dhe njerëzve.

Sa më shumë të zbuloni për këtë qytet, aq më shumë do të dashuroheni në të.

Nëse e vizitoni për herë të parë Stambollin, rekomandohet të qëndroni të paktën pesë ditë, sepse kaq kohë ju nevojitet për ta shijuar qytetin e lashtë dhe anën moderne të Stambollit.

Ndërsa nëse dëshironi t’i eksploroni qytetet e mëdha dhe fshatrat, duhet të planifikoni të qëndroni për minimum 10 ditë.

Stambolli është gjigant, ku vetëm në vitin 2016 në të kanë jetuar afër 15 milionë njerëz. Qyteti është po aq i madh sa çdo kryeqytet tjetër evropian, megjithëse Turqia është destinacion më i lirë kur e krahasoni me shtetet tjera.

KU TË QËNDRONI NË STAMBOLL?
Stambolli është i mbushur me hotele, hostele, shtëpi të mysafirëve dhe banesa. Nga akomodimet më të lira, e deri te ato më të shtrenjta. Për t’i përmbushur kërkesat tuaja të akomodimit, rekomandohet që sa më herët të hulumtoni në mënyrë që ta gjeni vendin më të mirë për shijen dhe xhepin tuaj!

Ka shumë sajte si ‘First Choice’ që jua lehtësojnë jetën kur e rezervoni një dhomë luksoze apo një dhomë më të lirë në Stamboll. Vendet të cilat konsiderohen si më të mirat për të qëndruar janë: Sultanahmeti, Beyoglu dhe Taksimi. Të gjitha këto vende janë të rrethuara me restorante, dyqane dhe ushqim të rrugës, transmeton Telegrafi.

ÇFARË TË BËNI NË STAMBOLL?
Stambolli është i mbushur me atraksione turistike, duke filluar nga pallatet, xhamitë e rrënojat antike, e deri te dyqanet e pafundme brenda Grand Bazaarit.

Për t’ju ndihmuar ta organizoni vizitën e parë në Stamboll, më poshtë e keni listën e vendeve të cilat s’bën pa i vizituar:

Blue Mosque

– Hagia Sophia

– Topkapi Palace

– Basilica Cistern

– Grand Bazaar

– Spice Bazaar

– Xhamia Suleymaniye

– Kulla Galata

– Pallati Dolmabahçe

– Sheshi Taksim dhe Iskital Ave

– Udhëtimin me anije në Bosfor

– Lagjen Ortakoy

– Perëndimin e diellit në Uskudar

UDHËTIMI BRENDA STAMBOLLIT
Posa të arrini në qytet, blijeni një ‘Instanbul Card’ në njërën nga makinat automatike. Kjo kartelë pranohet në të gjitha transportet publike, duke i përfshirë edhe anijet.

Shumica e vendeve dhe atraksioneve turistike në Stamboll mund të arrihen përmes transportit publik, e veçanërisht nga tramvajët dhe anijet. Por, sugjerimet e ekspertëve janë që të ecni sa më shumë që mundeni, transmeton Telegrafi.

Stambolli është qytet i mahnitshëm, me arkitekturë magjepsëse dhe vende të fshehura. Eksplorimi i qytetit duke ecur ju ofron mundësi unike për t’i takuar vendasit dhe për ta shijuar ndjesinë e vërtetë turke.

Nëse përdorni taksi, sigurohuni që taksimetri të jetë i ndezur. Gjithashtu, nga aeroporti Ataturk ju mund të shkoni në qytet me transport publik.

USHQIMET DHE PIJET NË STAMBOLL
Mirë se vini në parajsën e ushqimeve, ëmbëlsirave dhe çajrave! Rrugët e Stambollit janë të mbushura me stalla të qebapëve dhe donerëve, me restorante, dhe kafene. Ushqimi turk ka shumë aroma, shije, përbërës që nuk mjafton një paragraf për t’i përshkruar.

Një gjë të cilën duhet ta mbani mend është: Provojeni çdo gjë! Ushqimi nuk është shumë i shtrenjtë në Turqi, e në veçanti provoni ushqimet tradicionale.

PERIUDHA MË E MIRË PËR TA VIZITUAR STAMBOLLIN
Stambolli është vend i bukur dhe ia vlen ta vizitoni në çfarëdo periudhe të vitit, por me ndryshimin e stinëve, ndryshon edhe numri i turistëve. Kur e vizitoni për herë të parë, ekspertët rekomandojnë ta bëni këtë gjatë muajit maj apo qershor, transmeton Telegrafi.

Nëse e vizitoni gjatë verës, përgatituni për temperatura tejet të larta, ditë të gjata dhe shëtitje të mahnitshme me anije.

Gjatë dimrit Stambolli është i mbushur me erëra dhe mot të ftohtë, dhe ndoshta mund të keni mjaftueshëm fat për të parë pak borë.

Nëse keni fatin të shihni borë në Stamboll, do të jeni dëshmitarë të një vendi magjik!

ÇFARË TË SHMANGNI NË STAMBOLL?
Duke marrë parasysh çfarë qyteti i madh është, Stambolli është qytet mjaft i sigurt. Ndoshta mund të befasoheni nga numri i njerëzve që kërkojnë lëmoshë në rrugë, por shumicën e kohës nuk shkaktojnë dëme apo konflikte.

Ka një zonë rreth rrugës Tarlabasi, afër sheshit Taksim, e cila njihet si vend i shpërndarësve të drogës, prostitutave dhe rrezikut. Prandaj qëndroni larg atij vendi, e veçanërisht gjatë natës.

Gjithashtu, si të huaj në një shtet tjetër, duhet t’i respektoni traditat dhe shprehitë e tyre. Kur e shijoni qytetin, nuk është nevoja ta mbuloni veten apo të brengoseni për rrobat. Sidoqoftë, nëse vizitoni xhami apo vende religjioze, është e domosdoshme të vishni fustane të gjata apo xhemperë, e gjithashtu t’i mbuloni shpatullat dhe gjoksin.

Një shall e mirë është gjithmonë opsion i duhur për ta mbuluar kokën brenda xhamive.  /Telegrafi/