LAJMI I FUNDIT:

8 me 2…!!!

Maqedonia është një vend aspirant për në Bashkimin Evropian qysh me pavarësimin e saj prej ish-Jugosllavisë. Tentimet për tu afruar në Bashkimin Evropian asnjëherë nuk janë ndalur, edhe pse në të shumtën e rasteve këto tentime kanë rezultuar me urrejtje, injorim e përbuzje nga ana e faktorit ndërkombëtar për këtë vend të vogël, ose më saktësisht thënë nga ana e një pjese të faktorit ndërkombëtar. Ndryshimet strukturore në ekonomi, politik, e në të gjitha sferat e jetës, ky vend i ka bërë gjithherë me propozim të komisionit evropian.

Forma e animit ose definimit të politikës së jashtme të këtij vendi deri në një periudhë të caktuar, ka qenë e turbullt për arsyen e simpative ndaj Lindjes komuniste dhe realitetit Demokratik perëndimor që gjeografikisht duhej të përfshinte Gadishullin Ballkanik Lindja dhe Perëndimi gjithmonë e kanë bërë me jarga këtë vend nëpërmjet sakrifikimit të shqiptarëve. Shqiptarët e këtij vendi logjikisht nuk duhej të binin punën e kapjes së armëve në vitin 2001, por maqedonasit i detyruan përmes përkrahjes së madhe të fuqishme të një pjese ndërkombëtare.


Maqedonia përmes politikave të saja fiskale, po e mbyt biznesin e vogël dhe të mesëm në këtë vend. Ajo po akumulon mjete nga taksapaguesit shqiptar për të ndërtuar Kisha dhe Kryqe në vendbanimet shqiptare. Para pak kohësh mori raport pozitiv nga ana e komisionit evropian. Një raport i tillë na duket dyshues me shkuarjen në konferencën e Bashkimit Evropian nga ana e “monarkut” Gruevski dhe alarmet negative për mos caktim të datës përfundimtare për bisedime për futjen në Bashkimin Evropian.

Të njëjtën politikë po e përdor qeveria e “monarkut” Gruevski si para konferencës së Bukureshtit ku mori shuplaka nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa komisioni evropian edhe atëherë dha raport pozitiv për aplikimin e politikave të tyre në Maqedoni. Këtë qasje të Bashkimit Evropian mund ta shohim edhe me dioptrinë e qytetarëve të thjeshtë. Një konspiracion i çuditshëm i renditjes së ngjarjeve një ndër një. Gruevski sikur ta dinte saktësisht se do të marrë raport pozitiv nga ana e komisionit evropian, prandaj edhe veproi në kartën e padrejtësive ndaj popullatës shqiptare në këtë vend. Ky veprim rriste rejtingun e partisë së tij karshi elektoratit maqedonas, ndërsa në anën tjetër gjente përkrahje të fshehtë nga ana e disa strukturave evropiane.

Maqedonia në shumë sfera krijon dhe absorbon dhunë ndaj etniteteve tjera. Saktësisht ky vend duhet të jetë edhe në trajtim nga politika, multi-etnik, por konsumimi i politikave diskriminuese ndaj “konsumatorëve shqiptar” po jep përfitime marramendëse. Mahatma Gandi bazat e dhunës i definon në këtë mënyrë: “Bazë e dhunës janë: pasurimi pa punë, kënaqësia pa ndërgjegje, tregtia pa moral, shkenca pa njerëzoren, besimi pa sakrificën, politika pa principet.”

Realiteti politik, ekonomik dhe shoqëror po dëshmon se në këtë vend pretendent për tu futur në NATO dhe BE, gjënë shumë njerëz të cilët po pasurohen pa dhënë edhe mundin më të vogël. Disa persona nga Tetova kanë dërguar disa projekte shoqërore-qytetare në qeverinë e Maqedonisë dhe si rezultat i këtyre projekteve kanë fituar shuma të mëdha me mijëra euro. Ato para kanë përfunduar në xhepat e tyre dhe projektet nuk e kanë parë dritën e realizimit të tyre.

Qeveria e këtij vendi është e vërshuar me projekte të këtij karakteri nga ana e palës maqedonase ku destinohen me miliona euro, para të taksapaguesve shqiptar, ndërsa ato projekte asnjëherë nuk shohin dritën e realizimit. Ekonomia e tregut ka hapur një trend të ri tek të rinjtë e këtij vendi duke provuar fatin e tyre në bastoret sportive dhe në këtë mënyrë duke kërkuar pasuri pa derdhur mund. Bastoret sportive po mbijnë në çdo skaj të këtij vendi si kërpudha.

Përmes kampanjave të kësaj qeverie ne mund të shohim elementin e kënaqësisë pa ndërgjegje. Para do kohësh ndjeka një debat televiziv ku flitej për të drejtat e “minoriteteve”, të homoseksualëve, të lesbikeve, etj, dhe ministri Xhelal Bajrami akuzohej nga ana e këtyre homoseksualëve se nuk ka punuar mjaft për të përshtatur politikat sociale dhe ekonomike ndaj integrimit të tyre në shoqërinë e Maqedonisë. Kjo gjë gjen mbështetje mediatike dhe është një prej turpeve të radhës të këtij vendi që synon ti bashkohet Bashkimit Evropian.

Tregtia pa moral qysh me pavarësimin e këtij vendi është në dukje dhe në rritje e sipër. Nuk ka asnjë tentim nga ana e qeverisë së këtij vendi për të ndalur këtë dukuri të mbjelljes së dhunës. Elementin e shkencës pa njerëzore na e dëshmojnë shumë profesor universitar të cilët nuk e meritojnë të kenë një trajtim të këtillë të “ ëmbël” nga shoqëria, kur vet janë shndërruar në lugetër pas pasurisë, dhe aferave të ndryshme seksuale. Sikur myslimanët e këtij vendi të sakrifikonin për besimin e tyre gjithçka, pozita e shqiptarëve të Maqedonisë do të ishte prej minoritetit në vendimmarrës. Por, politika ka shtrirë duart edhe në institucionin e vetëm të përfaqësimit të interesave të myslimanëve të Maqedonisë.

Ky vend sikur të kishte principe në politikë, raportet me Greqinë dhe shtetet tjera në Ballkan do ti kishte krejtësisht ndryshe. Por, principe të kësaj politike të udhëhequr nga këta politikan janë servilizmi ndaj politikes serbe dhe ndjekja e kësaj politike vijë për vije ndaj shqiptarëve; edhe pse Serbia përmes presioneve të Bashkimit Evropian nuk mbajti anën e Maqedonisë në kontestin e saj me Greqinë.

Maqedonia shpresoi që kësaj radhe përfundimisht do të kthehet me caktimin e një date për fillimin e bisedimeve për futjen e këtij vendi në BE dhe në NATO. Por, mjeshtëria politika e Bashkimit Evropian e ktheu fajin tek Greqia për jargëzimin e mëtutjeshëm të këtij vendi deri në nënshtrimin e plotë të tij para futjes në dyert e BE. Si misionar i Bashkimit Evropian këto ditë u dërgua në Maqedoni dhe vet ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë i cili përgatiti terrenin e nënshtrimit të këtij vendi ndaj politikave të Bashkimit Evropian.

Në fjalimin e tij të mbajtur në Shkup, ai theksoi se edhe Sllovenia për futjen në BE ka pasur probleme të caktuara dhe është detyruar që të bëjë tolerime. Saktësisht nuk dihet se cilën anë përkrahë Sllovenia, por nëse shohim përtej vijës së hollë të lidhjes politike, përgjigjet do të gjenden në këtë renditje, BE-GREQI-SLLOVENI.

Akti i liberalizimit të vizave ishte dobiprurës për Bashkimin Evropian në këtë kohë të krizës financiare ndërkombëtare, ndërsa interpretimi i këtij akti nga ana e politikanëve, analistëve dhe qytetarëve të këtij vendi ishte krejtësisht ndryshe. Sikur ka çelur një shpresë e re në sytë e këtyre qytetarëve të lodhur nga politika e këtillë diskriminuese dhe shtypëse.

Nga lodhja e dhunës, këto qytetar, nuk kanë hapur sytë dhe të lexojnë këto deklarata se bëhet fjalë për liberalizim të vizave e jo për tërheqjen komplete të regjimit të vizave. Njashtu Zvicra dhe qytetarët e saj dhanë një mesazh të qartë për emigrantët shqiptar të cilët e ndërtuan atë shtet, duke ua ndaluar të drejtën e tyre elementare të besimit dhe shprehjes së asaj të drejtë karshi të tjerëve.

Në këtë mënyrë forca të ndryshme katoliko-centrike në mesin e popullit tonë gjetën një alibi të fuqishëm “kulturën demokratike liberale” të Zvicrës për të abuzuar me integritetin e myslimanëve shqiptar nga të gjitha anët. Më këtë veprim të këtij shteti, sikurse duan të ndahen ujqërit ndërmjet veti dhe të kalojnë të gjithë në kope të ndryshme për të mbushur orekset e tyre.

Politika di të ndaj njerëzit e të njëjtës familje. Ajo zhdukë popuj, nënshtron të tjerët, por edhe di të ruaj paqen dhe stabilitetin në botë. Sot në botë kemi dy vija të veprimtarisë politike, dy drejtime të paqes krejtësisht të ndryshme. Vendet perëndimore përmes termit të paqes dhe stabilitetit po mbajnë nën pushtim, okupim, dhunë, tmerr, vendet arabe. Këndej fryma e re politike në Turqi e interesuar seriozisht për paqen dhe tolerancën edhe brenda saj, rregulloi raportet e prishura me Armeninë, njashtu u kujdes në mënyrë të veçantë për të drejtat e popullatës kurdë në Turqi. Edhe pse në skenën ndërkombëtare këto anë duken një bllok, në fakt janë dy blloqe të kundërta.

Maqedonia gjithmonë ka pasur mbështetjen e Turqisë, edhe kësaj here u dëshmua ky fakt. Bashkimi Evropian përmes politikave të saja këtij shteti të vogël përsëri ia bëri tetë me dy. Dr.Haris Silajgjiç krahu i djathtë i ish-presidentit të ndjerë Alia Izetbegoviq, politikën e definon në këtë mënyrë:” Politika me të vërtetë është një lavire, por dikush duhet të martohet me të.”