LAJMI I FUNDIT:

70 mijë shpresa janë ndezur në panairet për punësim në Maqedoni

70 mijë shpresa janë ndezur në panairet për punësim në Maqedoni

Shtatëdhjetë mijë persona të papunë kanë dorëzuar biografi në dy karvan panairet e mbajtura për punësim, të cilat deri tani i organizon Agjencia për Punësim në më shumë qytete në Maqedoni.

Sot me Panairin për punësim në Shkup përfundon karvani i tretë me radhë, në të cilin morën pjesë 50-të firma të cilët para personave të papunë të interesuar nga rajoni i Shkupit e prezantojnë veprimtarinë e tyre dhe vendet e lira të punës. Panairin zyrtarisht e hapën drejtoresha e Agjencisë për Punësim të Shkupit Sllobodanka Aleksova dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë për Punësim, Arben Ziberi.


“Në vitet e fundit punuam shumë dhe në vazhdimësi ndërmorëm aktivitete të ndryshme të cilat kanë një qëllim – hapjen e vendeve të reja të punës. Rezultati nga mundi i dhënë është evident dhe më mirë është pasqyruar përmes shkallës së papunësisë në RM, e cila në vazhdimësi në 10-të vitet e fundit ulet dhe në pajtim me të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë për momentin është më e ulëta dhe arrin 22,9 për qind “, tha Aleksova.

Sipas saj, ulja e papunësisë tregon efektet pozitive nga realizimi i politikave për punësim orientuar drejt hapjes së vendeve të reja të punës, krijimin e vendeve të punës nga ana e investuesve të huaj dhe kompanitë vendore, si dhe bashkëpunimin e rritur mes kompanive të huaja dhe vendore. Panairet për punësim që i organizon Agjencia për Punësim janë një nga masa të cilat në vazhdimësi realizohen me qëllim të lidhjes së ofertës dhe kërkesës së fuqisë punëtore.

Zëvendësdrejtori Ziberi tha se theks i posaçëm vendoset në rritjen e mundësive për punësim të personave të rinj dhe lehtësimin e kalimit të tyre nga arsimi deri në punësim. Ky cikël i panaireve për punësim filloi para një muaji në Shkup dhe i përfshiu Tetovën, Shtipin, Kavadarin, Manastirin dhe Strumicën.