LAJMI I FUNDIT:

30-vjeçari rrëfen punën e tij në serat me kanabis

30-vjeçari rrëfen punën e tij në serat me kanabis

Një person i cili ka punuar në sera me kanabis ka rrëfyer ekskluzivisht për “Review” në Euronews Albania se si ishte procesi i punës.

Ai tregoi se fillimisht ka punuar në Lazarat. Kur kanë shkuar të kërkojnë punë kanë qenë një grup prej 12 personash.


“Kemi punuar, na jepte nga 20 mijë lekë në ditë, shkonim në 8 të mëngjesit dilnim në orën 6. Kam punuar rreth 2 muaj. Nga Lazarati kam punuar në Vlorë, nga Vlora na morën në Kuç, Kallarat, na çuan për të punuar,” – u shpreh 30-vjeçari.

Ai tregoi se në Vlorë, fillimisht i kishin gënjyer se do të vilnin ullinj. Më pas ai kishte vënë re se kishin lënë në tel boçet e kanabisit gati për të qethur. Aty u paguan me 30 mijë lekë, siç tregoi i riu.

Ai tha se ka pasur shumë raste kur nuk kanë marrë lekët, ndërsa presione tha se nuk ju kanë ushtruar edhe pse vazhdimisht kishte njerëz të armatosur.

“Njëri tha po keni ngacmuar ndonjë gjë do ju vras. Na thoshin që po të na pyesnin ku ishim të thoshim ishim në mal duke kullotur dhitë,” – u shpreh 30-vjeçari.

Ai rrëfeu se në eksperiencën e tij ka pasur raste ku ka qenë e gjithë familja për punë, përfshirë këtu edhe fëmijë 3-4 vjeç që prindërit i merrnin me vete nëpër sera.

I riu sqaroi se pasi bimët bëhen gati për t’u qethur atëherë kërkohen punëtorët dhe pasi kryhet puna nga paketuesit, që janë punëtorë të tjerë veç atyre që qethin, malli dërgohet menjëherë jashtë serave.

Sipas 30-vjeçarit sa herë transportohej lënda narkotike, pronarët e serave i largonin punëtorët me argumentin se “erdhi shteti”, pra i gënjenin se kishte forca policie të pranishëm për të mos ekspozuar transportuesin. /Euronews Albania/