Besnik Vasolli

Prej dhjetë muajsh, Kosova jeton në një situatë të pazakontë politike, ndërsa zgjedhjet e fundit - megjithëse u organizuan në përputhje me standardet më të mira demokratike - nuk arritën të prodhojnë shumicën e nevojshme për formimin e institucioneve. Fragmentimi politik, mungesa e kompromisit dhe polarizimi i rritur sollën një realitet të ri: një bllokadë që e la Kosovën pezull, në një hapësirë të paqartë mes rezultatit të zgjedhjeve dhe pamundësisë për të ndërtuar një qeveri funksionale.


Ky ngërç na çoi te shpallja e zgjedhjeve të reja më 28 dhjetor. Por, këto zgjedhje nuk janë thjesht një përsëritje e procesit zgjedhor; ato janë një moment përcaktues për Kosovën. Janë një provë se sa jemi në gjendje të ndërtojmë konsensus rreth funksionimit të shtetit dhe të garantojmë stabilitetin që kërkon zhvillimi ekonomik dhe shoqëror.

Këtë herë, Kosova nuk ka nevojë vetëm për zgjedhje të organizuara mirë. Ajo ka nevojë për zgjedhje të pranuara nga të gjithë, për një rezultat që respektohet dhe që mundëson formimin e një qeverie të qëndrueshme. Sepse, funksionimi i shtetit nuk varet vetëm nga korrektësia e ditës së votimit, por nga gatishmëria e akterëve politikë për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar institucione që punojnë. Mosfunksionimi politik ka pasoja që shkojnë më thellë sesa duket në sipërfaqe. Çdo muaj pa qeveri sjell një faturë të qartë për vendin.

Reformat ngadalësohen, projektet madhore mbeten pezull, ndërsa partnerët ndërkombëtarë humbasin qartësinë për drejtimin e vendit. Për një ekonomi të vogël si e jona, kjo sjellje politike ka kosto të mëdha. Sektori privat e ndien i pari dhe më së shumti këtë pasiguri. Kompanitë shtyjnë vendime të rëndësishme, projektet zhvillimore vonohen, investitorët e huaj bëhen më të rezervuar, ndërsa politikat fiskale, të cilat mund të ndikonin në rritjen ekonomike, mbeten pezull.

Në klimë të tillë pasigurie, bizneset futen në një gjendje pritjeje. Ato hezitojnë të investojnë, shmangin planet afatgjata dhe presin me muaj atë që normalisht duhet të vendoset brenda javësh. Kapitali, veçanërisht ai i huaj, është i ndjeshëm ndaj mungesës së stabilitetit politik. Dhe, kapitali, thjesht shkon aty ku është më i sigurt. Kosova nuk mund të përballojë që të humbasë investime për shkak të një paqëndrueshmërie të zgjatur politike.

Për më tepër, shteti vetë mbetet i kufizuar. Pa qeveri, buxhetet funksionojnë në mënyrë të përkohshme, investimet publike kufizohen, marrëveshjet strategjike nuk ecin dhe besimi i partnerëve ndërkombëtarë dëmtohet. Një vend pa qeveri fuqiplotë është një vend me ritëm të ngadalësuar, dhe Kosova nuk ka luksin të humbasë kohë.

Prandaj, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë vetëm një datë në kalendar. Ato janë një rast për reflektim, për të gjithë: për partitë politike, për shoqërinë civile, akademinë, mediat dhe qytetarët. Partitë duhet të tregojnë pjekuri, të mbajnë fushatë të përgjegjshme dhe ta respektojnë rezultatin.

Institucionet zgjedhore duhet të garantojnë transparencë të plotë. Shoqëria civile dhe akademia duhet të monitorojnë procesin dhe të informojnë publikun me profesionalizëm. E, mbi të gjitha, qytetarët duhet të dalin dhe të votojnë, sepse vota e tyre është i vetmi instrument që mund ta thyejë ciklin e pasigurisë.

Kosova nuk mund të lejojë që një palë tjetër zgjedhjesh të mos prodhojë qeveri. Kjo nuk është vetëm çështje e stabilitetit politik; është çështje e zhvillimit ekonomik, e funksionimit të institucioneve dhe e besimit të qytetarëve në shtetin e tyre. Është çështje e së ardhmes së Kosovës.

Më 28 dhjetor ne nuk po zgjedhim vetëm partitë që do të na qeverisin. Ne vendosim nëse vendi ynë do të hyjë në vitin e ardhshëm me institucione funksionale apo me një ngërç të ri që ngadalëson zhvillimin dhe integrimin tonë evropian. Ky është momenti për të treguar pjekuri, unitet dhe përgjegjësi.

Kosova ka nevojë për stabilitet. Ka nevojë për qeveri. Dhe, këtë mund ta arrijmë vetëm nëse të gjithë, si politika, institucionet, bizneset, mediat dhe qytetarët, e kryejnë rolin e tyre me seriozitet dhe integritet.

(Autori është drejtor i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare)