LAJMI I FUNDIT:

26-vjetori i masakrës së Godenit, Kurti: Kemi forcuar kapacitetet për ndjekjen e kriminelëve

26-vjetori i masakrës së Godenit, Kurti: Kemi forcuar kapacitetet për ndjekjen e kriminelëve

Në 26-vjetorin e masakrës së Godenit, kryeministri Albin Kurti, bëri homazhe në kujtim të 20 shqiptarëve civilë të paarmatosur. 

Kurti, këtë masakër në të cilën u vranë 20 anëtarët nga familjet Feraj, Osmanaj dhe Morina, të moshave nga 20 deri në 70 vjeç, e quajti dëshmi të gjenocidit të Serbisë dhe dëshmi e qëndresës së popullit.

“Godeni është dëshmi e gjenocidit të Serbisë, por gjithashtu edhe dëshmi e qëndresës së popullit. Kriminelët kanë ikur, ne i kemi forcuar dhe zgjeruar kapacitetet për ndjekjen e kriminelëve, qofshin ata urdhërdhënës ose ekzekutorë, por populli shqiptar është këtu si dëshmi që Republika, liria kanë ngadhënjyer”, tha kryeministri.


Ai theksoi se gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve nuk shlyhet kurrë, emrat e tyre nuk harrohen kurrë dhe janë me germa të arta në historinë e popullit tonë.

“Gjaku i dëshmorëve ndodhet në themelet e Republikës sonë. Neve na përket që të bëjmë gjithçka dimë e mundemi që ta forcojmë shtetin si shtëpi të popullit, t’i sigurojmë kufijtë e vendit tonë, ta thellojmë demokracinë, ta zgjerojmë zhvillimin dhe ta lartësojmë reputacionin e vendit tonë në botë, në mënyrë që të kemi përparim si Republikë e si komb dhe brezat që vijnë pas nesh, kurrë më të mos përjetojnë as për së afërmi terrorin dhe mizoritë nëpër të cilat kanë kaluar gjeneratat aktuale”, deklaroi kryeministri.

Masakra në Goden u krye mizorisht nga forcat serbe një ditë pas fillimit të fushatës bombarduese të NATO-s dhe në kohën kur Serbia po e zbatonte operacionin e saj gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve.

Në këto homazhe, Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga anëtarët të Qeverisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga drejtori i Institutit për Dokumentimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, si dhe familjarë të dëshmorëve e të martirëve. /Telegrafi/