17 vjet nga vdekja e 2Pac, kujtojmë legjendën

Tupac lindi më 16 qershor të vitit 1971 në East Harlem të New York Cityt dhe ndryshe njihet si 2pac apo Makaveli. Ai ka shitur plot 75 milionë kopje të albumeve të tij në mbarë botën, duke u bërë një prej artistëve me më shumë albume të shitura në botë.
Hitet më të mëdha të Tupac konsiderohen, “Ghetto Gospel”, "Changes", “Hit ‘Em Up”, “Ghost”, “Dear Mama” dhe shumë këngë të tjera. Nëpër hite të tij Tupac trajtoi tema të ndryshme, duke filluar nga racizimi, problemet sociale dhe deri te konflikti i famshëm gjatë rivalitetit të reperëve nga Lindja dhe Perëndimi.
Reperi pa kurrfarë diskutim më i miri i të gjitha kohërave është vrarë gjatë një prite më 7 shtator të vitit 1996 në Nevada të Las Vegasit, ku më pas nga katër plumbat e marrë vdiq gjashtë ditë më vonë në Qendrën Mjekësore Universitare të Las Vegasit.
Gjatë karrierës së tij, Tupac lansoi dy albume multi-platinum të nominuara për Grammy. Ato albume ishin ai i vitit 1995 “Me Against the World” dhe albumi i vitit 1996 “All Eyez on Me”.
Një vit më parë Dr. Dre dhe Snoop Dogg u përkujdesën që në festivalin Coachella, reperi të ringjallej në skenë në formë të hologramit, një ngjarje kjo epike që ka rikthyer në kohë adhuruesit e legjendës i cili i hologramizuar performoi këngët “Americas Most Wanted” dhe “Hail Mary”
Edhe 17 vjet pas vdekjes së tij, 2Pac konsiderohet si një prej emrave që ka më së shumti ndikim në muzikën e hip hopit të ditëve të sotme.
Ai konsiderohet i pavdekshëm, pasi është shpesh pjesë e teksteve dhe këngëve në kujtim të tij.
Për të shënuar përvjetorin e vdekjes së legjendës së hip hopit botëror, Telegrafi sjell për fansat shqiptarë të hip hopit një përmbledhje të këngëve që i janë kushtuar për nderë dhe në kujtim të tij. /Telegrafi/































































