LAJMI I FUNDIT:

A mund të ndodhë një koncentrim brendapolitik i shqiptarëve të Maqedonisë?

A mund të ndodhë një koncentrim brendapolitik i shqiptarëve të Maqedonisë?

Përçarjet dhe armiqësitë brendashqiptare në Maqedoni po ndodhin në kohën kur këtu mëhalla politike ka peshë më të madhe se çfarëdo lloj bashkërendimi për çështje të caktuara, jo vetëm politike. Që të pengohet ky provincializim i mëtejmë i politikës, shqiptarëve të Maqedonisë ju nevojitet përfundimisht një koncentrim i vullnetit politik përmes një liste të vetme zgjedhore e cila do t’ju mundësonte zgjedhjen e mbi 30 deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.

Nëse BDI arrin të bëj një rifreskim të brendshëm, përmes reformave të domosdoshme dhe të kërkuara tash e disa kohë, që do të hapte udhë për një ekip të ri (jo vetëm në moshë) qeverisës, ky do të ishte një shans i madh që edhe partitë e tjera shqiptare t’i bashkëngjiten asaj në krijimin e një platforme bashkëqeverisëse dhe këtë do ta mundësonte lista e përbashkët shqiptare.


Shqiptarët në Maqedoni nuk po arrijnë të krijojnë opozitë të mirëfilltë politike, sepse edhe brenda saj ka prirje të segmentimit dhe bajraktarizmit. Në anën tjetër, edhe partitë shqiptare në pushtet nuk ia dolën të realizojnë ëndrrën e çdo shqiptari me qenë të barabartë në të gjitha fushat me maqedonasit.
Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur fal mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.

Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare , fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase, për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar.

Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dal e para në zgjedhje, të ketë përfshirë në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonjë gjetje interesante nga platformat e partive tjera simotra shqiptare në Maqedoni.

Deri më tani, partitë shqiptare që ia kanë mësyrë pushtetit, nuk e kanë provuar të sjellin edhe kuadro të përgatitur nga diaspora, të cilët do të ishin një krenari kombëtare dhe një shkëlqim që do të errësonte mitin sllav për “shqiptarin e paaftë të bëjë shtet”.

Dimensioni i pushtetit nga partitë politike shqiptare në Maqedoni është kuptuar si luftë për “jetë a vdekje”, por edhe si përjashtim arbitrar i çfarëdo lloj bashkëpunimi me ndonjë forcë opozitare shqiptare për çështje të caktuara, prandaj kryeministrat maqedonas e kanë patur gjithmonë opsionin rezervë të “partnerit që pret prapa dere”. Fatkeqësisht, në raste të caktuara ky truk i tyre ka dhënë edhe rezultate, kurse ajo që asnjëherë nuk arriti të projektohet në kauzë nga shqiptarët është pamundësia e krijimit të kontesteve të mëdha institucionale, qoftë përmes mospjesëmarrjes në krijimin e kabineteve qeveritare, qoftë duke imponuar dekalogje që do të shprehnin afinitet politike të gjithë spektrit politik e civil të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në një ambient pak a shumë të acaruar, ku edhe gazetarët, analistët, e opinionisët e ndryshëm kanë përjashtuar nga observimet e tyre sensin për të gjetur pikat që i bashkojnë interesat shqiptare në Maqedoni, është vështirë të krijohen shtigje që do të shpinin në një mirëkuptim brendakombëtar, aq më tepër kur antagonizmat nuk shikohen gjithmonë në prizmin e ideve, por të individëve.

Megjithatë, befasia më e madhe ndodhë në politikë dhe shqiptarët zakonisht befasitë i kanë pritur me një doze skepticizmi, dhe në të shumtën e herëve ato janë përcjell me të panjohurën, si akses perceptimi. Fundja, a ka patur befasi më të madhe se koalicioni në mes të PDSH dhe VMRO-DPMNE në vitin 1998? Pastaj, kush ka besuar se ish-guerilët shqiptarë do të bënin më vonë koalicion me partinë që ishte në konflikt të hapur ushtarak në vitin 2001. Tytat e dikurshme të kthyera kundër njëri-tjetrit, më vonë u transformuan në kapituj të pambaruar të projekteve bashkëqeverisëse?

Nëse edhe më tej befasia do të vazhdonte të mos përjashtohet nga zanati i politikës, atëherë pse të mos mendojmë drejt dhe me këmbë të mbarë të propozojmë krijimin e listëts së përbashkët shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 5 qershor, ndonëse ka zëra që ato sërish mund të shtyhen. Kur shqiptarët kanë mundur të bëjnë koalicion me ata që kanë bërë edhe luftë, pse kjo s’po mundet të ndodh në mes të tyre dhe për interes vetëm të tyre.

Çka do të përfitonin shqiptarët në Maqedoni nëse krijohet një listë e përbashkët shqiptare, me kusht që ajo të amortizojë deri në maksimum përçarjet dhe fragmentimet brendashqiptare.

E para, vota shqiptare do të fitonte në peshë si asnjëherë më parë dhe kjo fuqi politike do të prodhonte një përqindje të konsiderueshme mandatesh në Parlament, i cili do të përcaktonte drejtpeshimin politik brenda dhe jashtë Parlamentit.

E dyta, doktrina politike e shqiptarëve të Maqedonisë do të kishte një adresë ku do të fokusoheshin problematikat aktuale dhe ato që duhet të zgjidhen në të ardhmen, duke filluar nga statusi i gjuhës, e deri te një ndarje e re administrative sipas interesave ekonomike, kulturore e sociale të banorëve të Maqedonisë.

E teta, fuqia negociuese e shqiptarëve me faktorin politik maqedonas do të ridimensionohej në një performancë efikase përfaqësimi, duke përfshirë interesat e gjithë spektrit politik shqiptar dhe duke manifestuar një unitet idesh e jo individësh për çështje e problematika të përbashkëta.

E katërta, kjo listë shqiptare do të vendoste për përfshirjen apo jo në bashkëqeverisje me ndonjë parti maqedonase dhe përpara do të dihen kushtet që do të përcaktonin rrjedhën e mëtejme të procesit negocues.

E pesta, lista shqiptare vendos se për cilat çështje duhet të ketë konsensus brendashqiptar dhe cilat çështje mund të ngelin pjesë e modaliteteve pluraliste që do të pasuronin koloritin e specifikave të skenës politike shqiptare në Maqedoni.