13 vite nga aktvendimi i pafajësisë, Haradinaj kujton rrugëtimin ligjor në Hagë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot përvjetorin e shpalljes së tij të pafajshëm nga Gjykata e Hagës, duke e cilësuar këtë datë si një prej më të rëndësishmeve në jetën dhe veprimtarinë e tij.
Haradinaj thotë se e kujton aktvendimin e pafajësisë si një fitore jo vetëm për të, por për të gjithë luftën çlirimtare, transmeton Telegrafi,
"Sot shënoj një ditë që për mua ka gjithmonë një peshë të veçantë, përvjetorin e lirisë sime dhe vulosjen përfundimtare të së drejtës së luftës sonë çlirimtare. Më 17 nëntor 2004, edhe pse luftëtar i lirisë në tokën time, u ftova për herë të parë nga Gjykata e Hagës. Ajo ditë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë ligjor, i cili zgjati deri më 29 nëntor 2012. Edhe pse u shpalla i pafajshëm në gjykimin e parë, vite më pas u ftova në rigjykim, për ta vërtetuar edhe një herë të vërtetën tonë. Sot, 13 vite më pas, e kujtoj atë aktvendim të pafajësisë si një fitore jo vetëm për mua, por për të gjithë luftën tonë çlirimtare", ka shkruar ai.
Mes tjerash, Haradinaj thotë se " lufta ime për të vërtetën zgjati po aq sa lufta për liri, dhe në të dyja këto beteja dola fitimtar".
"Gjatë çdo hapi, në çdo vendim e në çdo veprim timin, jam kujdesur që Kosovës t’i sjell vetëm fitore dhe nder. Asnjëherë nuk kam lëvizur nga kjo detyrë, as në luftë e as në paqe. Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat"./Telegrafi/


















































